Ndërlidhjet

Spanja legalizon eutanazinë


Ilustrim.

Ligjvënësit spanjollë kanë votuar për ta bërë shtetin e tyre të gjashtin në botë – dhe të katërtin në Evropë – për të lejuar vdekjen e asistuar dhe eutanazinë, për pacientët që vuajnë për kohë të gjatë nga sëmundje të pashërueshme dhe për personat që kanë dhimbje të papërballueshme.

Dhoma e Ulët e parlamentit ka votuar me 202 vota në të mirë të këtij vendimi, për dallim nga 140 vota, sa kanë qenë kundër.

Ligjvënësit nga koalicioni qeverisës dhe nga partitë tjera, kanë mbështetur këtë propozim, derisa konservatorët dhe ligjvënësit e krahut të djathtë janë zotuar për ta përmbysur këtë vendim në të ardhmen.

Ministrja e Shëndetësisë Carolina Darias e ka përshëndetur miratimin e projektligjit dhe e ka konsideruar hap të rëndësishëm “drejt njohjes së të drejtave të njeriut.

“Ne jemi duke shkuar drejt një shoqërie më humane dhe më të drejtë”, u ka thënë Darias ligjvënësve.

Projektligji ka qenë rezultat i një debati të gjatë, që ka nisur tre vjet më parë, dhe ka kaluar nëpër një mori komitetesh dhe në Senat.

Ai pritet të nisë së zbatuari në mes të muajit qershor.

Ligji u mundëson punëtorëve shëndetësorë të refuzojnë të marrin pjesë në këtë procedurë, për shkak të besimeve të ndryshme.

Eutanazia, proces kur një mjek injekton ilaçin vdekjeprurës te pacienti, është e lejueshme apo e sanksionuar nga gjykatat në Belgjikë, Kanada, Luksemburg, Kolumbi dhe Holandë.

Në Zvicër dhe disa shtete amerikane është e lejueshme vetëvrasja e asistuar nga mjeku – kur një pacient i injekton vetes ilaçin vdekjeprurës nën vëzhgimin e mjekut.

XS
SM
MD
LG