Ndërlidhjet

SHSKUK: Në spitalet e Kosovës po trajtohen 856 pacientë


Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) njoftoi të shtunën se 856 pacientë po trajtohen në klinikat dhe spitalet rajonale të Kosovës.

Sipas njoftimit, 727 pacientë janë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri, ndërsa 129 persona janë të dyshuar, në pritje të rezultateve.

Me gjendje të rënduar shëndetësore janë 33 pacientë ndërsa 682 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

“Bazuar në raportimet nga klinikat COVID në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por edhe spitalet e përgjithshme të cilat trajtojnë pacientë me COVID, vërehet një rënie e numri të pacientëve, krahasuar me ditët paraprake”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Që prej 13 marsit 2020, e deri më 2 prill, 2021 Kosova ka regjistruar 92.198 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.894 pacientë kanë humbur jetën dhe janë shëruar 76.402 persona. Raste aktive janë 13.902.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton se deri në mesditën e së premtes, 1.228 qytetarë, profesionistë shëndetësorë dhe nëpunës të institucione shëndetësore janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Në Kosovë, fushata e vaksinimit ka nisur më 29 mars, pasi shteti pranoi 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këtë kontingjent të vaksinave, Kosova e mori falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

XS
SM
MD
LG