Ndërlidhjet

Rreziku i politizimit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
I nisur për çështje praktike, dialogu me Serbinë, sipas analistëve kosovarë, do të përfundojë me diskutimet për statusin e Kosovës, përkatësisht veriun e banuar me shumicë serbe dhe të pakontrolluar nga Prishtina zyrtare.

Epilogu, sipas analistëve nuk do të jetë i afërt, madje edhe për çështjet teknike, do të shkojë kohë e gjatë para se të arrihet ndonjë marrëveshje.

Të hënën, në Bruksel, dy të dërguarit e Prishtinës dhe të Beogradit kanë filluar raundin e dytë të bisedimeve, ku siç është thënë, do të diskutohet energjia, posta dhe telekomi, si dhe lëvizja e lirë.

Analisti Belul Beqaj shpreh mendimin se edhe më tej po vazhdon të ruhet fryma e nxitur nga BE-ja, që të mos hapen çështjet e ndjeshme ndërmjet vendeve, që 12 vjet më parë ishin në konflikt të armatosur.

“Bisedat aktualisht janë duke u zhvilluar në frymën e pritur. Çështje tjetër është se çka do të ndodhë kur të hapen çështjet e tjera që kanë ndërlidhje të drejtpërdrejtë me statusin. Mendoj se bashkëbiseduesit janë të kujdesshëm që çështjet e natyrës sensitive mos të paraqiten në fillim, ngase ato do të ishin pengesë që të vazhdojë dialogu në frymën e mirëkuptimit”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Belul Beqaj.

Në anën tjetër, analisti Imer Mushkolaj parasheh një rënie të interesimit mbi këto bisedime, për shkak se ato do të stërzgjaten, para se të sjellin ndonjë rezultat.
Askush nuk duhet të presë se në këto bisedime do të ndodhë farë mrekullie.


“Askush nuk duhet të presë se në këto bisedime do të ndodhë farë mrekullie. Këto takimet e para do të jenë në qendër të opinionit, por konsideroj se duke pasur parasysh se bisedimet do të zgjasin një kohë të gjatë, edhe me vjet, atëherë do të bie interesimi për to. Konsideroj se bisedimet do të dalin në plan të dytë dhe ngjarjet që do të pasojnë, në Serbi e Kosovë, do t’i lënë në hije ato”, konsideron Mushkolaj.

Pas raundit të parë të bisedimeve, mbajtur më 8 dhe 9 mars, kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri pati thënë se për shkak të mentalitetit të së kaluarës të palës serbe, nuk ishin arritur marrëveshje.

Në anën tjetër, edhe kryeministri Hashim Thaçi edhe presidenti serb Boris Tadiq, po synojnë pajtimin shqiptaro-serb me këto bisedime.

Por, qëndrimet politike të tyre karshi Kosovës dallojnë shumë. Kështu që, sipas Belul Beqajt, pala që do të marrë vendime në këto bisedime, duket se do të jetë ndërmjetësi - Bashkimi Evropian.

Megjithatë, Beqaj shfaq drojën se për të ruajtur atë që konsiderohet si frymë demokratike në Serbi, BE-ja do lëshojë pe në dëm të Kosovës, përkatësisht në ndarjen e pjesës veriore.
Do të ishte budallallëk, non-sens i llojit të veçantë po qe se BE-ja do të insistonte, që zgjidhja të bëhej përmes ndarjeve.


“Parimisht, dialogu do të duhej të ishte në frymën e ndërtimit të BE-së, për faktin se çdo ndarje do të nënkuptonte shkelje të filozofisë, mbi të cilën është ndërtuar BE-ja. Pra, një BE që i jep përparësi integrimit dhe jo separacionit. Do të ishte budallallëk, non-sens i llojit të veçantë po qe se BE-ja do të insistonte, që zgjidhja të bëhej përmes ndarjeve”.

“Por, çështje tjetër është se mbase i konvenon që për hir të bashkëpunimit me partnerin vendimtar në Serbi, Partinë Demokratike të Tadiqit, ndoshta të bëhen lëshime në favor të tij, pasi që humbja e pushtetit të tij është reale
”, thekson Beqaj.

Do të vijë momenti kur të bisedohet edhe për statusin e Kosovës, respektivisht, për pjesën veriore.
Në anën tjetër, Mushkolaj shfaq tone më optimiste, duke thënë se derisa të vijë koha për të diskutuar veriun, shumë çështje teknike me Serbinë do të jenë zgjidhur.

“Do të vijë momenti kur të bisedohet edhe për statusin e Kosovës, respektivisht, për pjesën veriore. Por, deri atëherë, është e rëndësishme, që të zgjidhen shumë çështje tjera praktike, që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve, në radhë të parë në Kosovë, jetën e tyre në raport me Serbinë”, vlerëson Mushkolaj.

Bisedimet Kosovë-Serbi po lehtësohen nga Robert Kuper, përfaqësues i shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton.

Procesi po ndihmohet edhe nga përfaqësuesi i SHBA-së, Tomas Kantrimen.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se procesi i bisedimeve do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht me njohje reciproke.
XS
SM
MD
LG