Ndërlidhjet

Grup i ri kontakti për Libinë


Partnerët ndërkombëtarë janë dakorduar për të vazhduar misionin e tyre ushtarak derisa udhëheqësi libian, Muamar Gadafi, nuk vepron në përputhshmëri të plotë me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, për të mbrojtur civilët.

Pas takimit në Londër, ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, tha se fuqitë botërore kanë rënë dakord edhe për krijimin e një grupi të kontaktit për të koordinuar përpjekjet politike.

Organi në fjalë do të kryesohet nga Katari, ku edhe do të mbahet mbledhja e parë e tij, ka njoftuar Hejg.

Ky i fundit tha se të gjithë pjesëmarrësit në konferencë janë pajtuar se “Gadafi dhe regjimi i tij e kanë humbur plotësisht legjitimitetin dhe do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se komuniteti ndërkombëtar do të rrisë presionin ndaj liderit libian.

“Të gjithë ne duhet të vazhdojmë presionin dhe të thellojmë izolimin e regjimit të Gadafit. Kjo përfshin një front të unifikuar të presionit politik dhe diplomatik, që do t’ia bënte të qartë Gadafit se ai duhet të shkojë", tha Klinton.

Shefi i OKB-së, Ban Ki-mun, ka premtuar ndihmën e Kombeve të Bashkuara për popullin libian.

“Kalimi në një qeveri dhe shoqëri demokratike do të marrë kohë, por edhe mbështetjen e të gjithë neve. Kombet e Bashkuara janë të gatshme dhe të vullnetshme për të ndihmuar njerëzit e Libisë në këtë tranzicion”, ka thënë Ban.
XS
SM
MD
LG