Ndërlidhjet

Itali: Berluskoni para gjykatës për akuza se ka paguar për seks


Kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, sot pritet të paraqitet në seancën dëgjimore në një gjykatë, për shkak të akuzave se e ka paguar një vajzë të re për seks.

Mendohet se zoti Berluskoni nuk do të paraqitet personalisht në një gjykatë në Milano, por qindra gazetarë dhe ekipe televizive pritet që do të jenë atje për fillimin e njërit prej proceseve gjyqësore, për të cilin është folur më së tepërmi në historinë aktuale italiane.

Silvio Berluskoni, 74 vjeçar, është akuzuar se i ka dhënë të holla dhe stoli vajzës së lindur në Marok, Karima El-Mahroug, e njohur si Rubi, për shërbime seksuale, kur ajo ishte vetëm 17 vjeçare, gjë që, sipas ligjeve të Italisë, është shumë e re për tu paguar si prostitutë.

Berluskoni, poashtu, është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës duke ndërhyrë për lirimin e kësaj vajze të re nga arresti policor, për shkak të dyshimeve për vjedhje.

Berluskoni dhe vajza El-Kahroub i kanë hedhur poshtë akuzat se kanë pasur marrëdhënie seksuale, ndërsa kryeministri italian, e ka hedhur poshtë çdo mundësi për keqbërje në këtë rast.
XS
SM
MD
LG