Ndërlidhjet

Konsensusi i (pa)arritshëm


Prishtinë
Prishtinë
Analistët politikë konsiderojnë se subjektet politike duhet të dalin jashtë interesave të ngushta partiake për të arritur një konsensus për tejkalimin e krizës aktuale, të shkaktuar pas vendimit për rastin Pacolli të Gjykatës Kushtetuese. Një president konsensual dhe marrëveshja për reformën zgjedhore thuhet të jenë pikat kryesore, për të cilat duhet të dakordohen partitë në pushtet me ato të opozitës.


Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e fuqizoi rolin e opozitës, në veçanti të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën, tani partia fituese e zgjedhjeve (Partia Demokratike e Kosovës), po bisedon për të tejkaluar krizën politike.

Analistët politikë thonë se Kosova është dërmuar nga krizat e njëpasnjëshme dhe tani i duhet, si kurrë më parë, një konsensus politik.

Shkëlzen Maliqi thotë se vendimi i Kushtetueses, ka bërë të pamundur çfarëdo zgjidhje pa pjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Prandaj, është gati e detyrueshme që për dalje nga kriza, që të mos të futemi prapë në proces zgjedhor, të fillohet të bisedohet me LDK-në.

“LDK-ja, e vetmja mund ta japë kuorumin e dy të tretave në sallë, duke pasur parasysh që Vetëvendosja nuk është kooperative ne këtë kuptim, sepse edhe ata do të mund të ndihmonin që të bëhet ky kuorum. Prandaj, është gati e detyrueshme që për dalje nga kriza, që të mos të futemi prapë në proces zgjedhor, të fillohet të bisedohet me LDK-në”.


“Të martën tërë ditën me Ambasadën Amerikane, me zyrën e Piter Feithit është diskutuar për të dhe besoj se ashtu lajmet janë se është arritur një progres, se jemi afër zgjidhjes së problemit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Maliqi.

Para zgjedhjes së institucioneve, PDK-ja nuk zhvilloi dialog me të gjitha subjektet politike për koalicionin qeverisës. Një hap i tillë, më vonë u kritikua edhe nga vetë drejtuesit e lartë të kësaj partie, të cilët fajësuan kreun e PDK-së, për krizën aktuale për shkak të, siç thuhet, nxitimit të lidhjes së koalicionit me Aleancën Kosova e Re.

Njohësi i rrethanave politike, Ilir Deda, i cili deri para pak kohësh bashkëdrejtoi Frymën e Re, thotë se opozita veproi në mënyrë më të pjekur se partitë në pushtet.

Ishin deputetët e LDK-së dhe AAK-së ata që kontestuan procedurat e zgjedhjes së Pacollit për president, të cilat më pas i cilësoi si jokushtetuese edhe vetë Gjykata Kushtetuese.
Ilir Deda

“Është e çuditshme, që në këtë fazë, arritëm me një pjekuri më të madhe të opozitës sesa të partisë në pushtet. Në vend se të ishte pozita që ta shtrinte dorën drejt opozitës, që të arrihej deri te ndonjë marrëveshje për çështjet kyçe të shtetit tonë, ishte opozita që imponoi këtë qasje edhe kjo duhet të çmohet. Ndërsa, të gjithë nga kjo krizë duhet të dalin fitimtarë, në radhë të parë qytetarët e Kosovës dhe stabiliteti i Kosovës”
, thekson për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda.

Por, sipas analistëve, PDK-ja nuk ka probleme vetëm me opozitën, ku një pjesë e saj kërcënon me bojkot, nëse kandidohet sërish Pacolli për president, ndërsa pjesa tjetër thotë se do ta bojkotojë, po qe se nuk arrihet ndonjë marrëveshje kalimtare.

Maliqi thotë se zërat kundërshtues po rriten brenda vetë PDK-së.

“Nga ana tjetër, problemi mund të paraqitet tash se a do të mund të sigurohet vota e plotë në raundin e tretë për Behxhet Pacollin, sepse brenda PDK-së ka kundërshtime. Ato janë paraqitur publikisht dhe këtu ka mbetur puna. Nga ana tjetër, po përmenden edhe disa kandidatë të tjerë, nuk po spekuloj me emra, të cilët ndoshta do të gëzonin edhe një përkrahje konsensuale të të gjithëve dhe ndoshta edhe do të votoheshin edhe nga partitë tjera”
, shprehet Maliqi.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit u përcollën me parregullsi të mëdha. Opozita, në veçanti, LDK-ja, si partia e dytë, edhe pse pranoi rezultatin e tyre, bëri thirrje për një marrëveshje kalimtare deri në organizimin e zgjedhjeve brenda një apo dy vjetësh.

Ilir Deda thotë se për ta përmirësuar imazhin, nevojitet arritja e shpejtë e konsensusit politik.

“Pa marrë parasysh vështirësitë që janë në sipërfaqe dhe në substancë për arritjen e një konsensusi politik, ky konsensus duhet të arrihet, sepse Kosovës më shumë se kurrë i duhet një rrugë e përbashkët e daljes nga kriza, e cila gjeneron prej zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Këto zgjedhje nuk e kanë prodhuar një Parlament, i cili ka legjitimitet të plotë dhe për këtë arsye duhet gjendur presidenti konsensual dhe duhet të ketë marrëveshje mes partive politike për hapat që duhet të ndërmerren gjatë një apo dy viteve të ardhshme që do të rezultonin me një palë zgjedhje me të vërtetë të lira dhe një Kuvend tjetër",
konsideron Deda.

Edhe kësaj here, subjektet politike kosovare nuk arritën të ulen në tryezën e bisedimeve pa ndërmjetësimin ndërkombëtar. Ambasada Amerikane dhe Zyra Civile Ndërkombëtare përfliten si ndërmjetësit kryesorë në kapërcimin e krizës aktuale të zgjedhjes së presidentit.

Lexoni edhe këto:
Takimi Thaçi, Pacolli e Mustafa - pa marrëveshje
ICO: Komunikim konstruktiv
XS
SM
MD
LG