Ndërlidhjet

Bellorusia zotohet t'i ndjekë autorët e shpërthimit në metro



Autoritetet e Bellorusisë janë zotuar t'i ndjekin autorët e shpërthimit në stacionin e metrosë në kryeqytetit Minsk, i cili la 12 të vdekur dhe 150 të plagosur.

Deklarata e lëshuar nga shërbimi i sigurisë KGB thotë se bilanci i të vdekurve është 12, ndërsa 149 kanë kërkuar ndihmë mjekësore, nga të cilët 22 mbeten në gjendje të rëndë.

Raportohet se e mërkura do të jetë ditë zie kombëtare për viktimat e shpërthimit.

Prokurorët e kanë përshkruar shpërthimin si "akt terrorist", por nuk kanë dhënë detaje tjera.

Shpërthimi ndodhi në orët e pasditës në stacionin Oktjabrskaja, rreth 100 metra nga ndërtesa ku ndodhen zyrat e presidentit Aleksandr Lukashenko.

Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë, por policia i ka shtuar masat e sigurisë për t'u mbrojtur nga ndonjë sulm i ngjashëm.

Presidenti Lukashenko e quajti shpërthimin përpjekje për të destabilizuar vendin, dhe nuk e përjashtoi mundësinë e involvimit të të huajve, duke e quajtur shpërthimin "dhuratë" që "mund të jetë sjellë nga jashtë".

"Njerëz, ju e shihni se jemi sfiduar, dhe duhet të kuptojmë se kjo është një sfidë shumë serioze. Ne duhet të japim përgjigje të duhur. Dhe, kjo përgjigje duhet gjetur", tha Lukashenka në një fjalim televiziv.

Lukashenka u bëri thirrje bellorusëve që t'u ndihmojnë hetuesve për të përcaktuar se kush e kreu shpërthimin.

Presidenti gjithashtu spekuloi se shpërthimi mund të jetë i lidhur me shpërthimin e vitit 2008.

Në korrik, 2008, shpërthimi i bombës në koncertin ku merrte pjesë edhe Lukashenko, plagosi rreth 50 njerëz në Minsk. Nuk janë raportuar arrestime për këtë rast.
XS
SM
MD
LG