Ndërlidhjet

Reciprociteti në tërë Kosovën


Vendkalimi kufitar në Merdare
Vendkalimi kufitar në Merdare
Aksioni i ndërmarrë nga forcat e rendit për të futur nën kontroll
vendkalimet kufitare 1 dhe 31, të cilat gjenden në pjesë veriore të Kosovës, është vendim i ligjshëm dhe shumë i rëndësishëm.

Kështu ka thënë zëvendës kryeministrja e Kosovës, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, duke shtuar se qeveria e vendit ka qenë e detyruar për një veprim të tillë, në mënyrë që edhe në atë pjesë të sundojë rendi dhe ligji.

Ajo tha se vendimi i qeverisë për masat reciproke ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duhet të zbatohet në tërë territorin e Kosovës.

Ne kemi thënë në vazhdimësi se çështja e veriut të Kosovë është çështje e brendshme, kemi thënë në vazhdimësi se Kosova është një shtet dhe Kosova nuk ka hapësirë dhe mundësi që të ndahet dy zona të ndryshme”.

Ka qenë e domosdoshme vënia e kontrollit në këto dy pika, dhe neve na vjen mirë që ka kaluar pa incidente të rënda, apo ndonjë problem që mund të ketë efekte të tjera”, tha Kusari- Lila

Behxhet Pacolli, zëvendëskryeministër i Kosovës, duke e quajtur të qëlluar veprimin e autoriteteve të rendit, ka thënë se ky veprim ka pasur përkrahjen e ndërkombëtarëve.

Pacolli tha se Serbia duhet të kuptojë se në atë pjesë ekziston kufiri.

Serbia duhet të kuptojë se në mes këtyre dy shteteve ekziston një kufi, kufi ky që do të trajtohet në atë mënyrë se si e trajton pala tjetër”, u shpreh Pacolli.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, shprehen se vendimi i qeverisë për ndalimin e futjes se mallrave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës në tregun kosovar, duhet të zbatohet në tërësi.

Ramiz Kelmendi, udhëheqës i kompanisë “Elkos Group”, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se vendimi i qeverisë për masa reciproke dhe aksioni i forcave të rendit në pjesën veriore të Kosovës është fitorja më e madhe në aspektin ekonomik.

Ne jemi shumë të kënaqur që është sjellë një masë e tillë administrative, që të disiplinon shtetin serb. Por masa e mbrëmshme e rikthimit të pikave 1 dhe 31 dhe çlirimi i asaj pjesë të Kosovës, nga ata akterë të cilët e kanë rrënuar sistemin fiskal të Kosovës, realisht kjo është fitorja më e madhe e momentit”, vlerësoi Kelmendi.

Ndërsa, Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin AAB- Riinvesit, tha se parimi i reciprocitet nga autoritetet kosovare është dashur të ndërmerret më herët, pasi Serbia, që nga viti 2008, tha ai, ka bllokuar mallrat kosovare.

Kosova ka arsye që më politika tregtare të tregojë kujdes nga vërshimit të importit dhe kujdes ndaj bizneseve kosovare. Kjo sjellje tregtare nuk mund të provokojë asnjë presion të jashtëm politik për të suspenduar këto masa”, tha Sdaiku.

Ndryshe, javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për masa reciprociteti të plotë për produktet e Serbisë, ndërsa për Bosnjë e Hercegovinën taksë doganore prej 10 për qind.
XS
SM
MD
LG