Ndërlidhjet

Marnak: Hetimi të shkojë deri në fund


Ksavier de Marnak
Ksavier de Marnak
Shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak, tha se është i gatshëm që t’i shkojë deri në fund hetimit ndaj zyrtarit të këtij misioni, i cili u akuzua se ka abuzuar me personelin vendës, të cilin thuhet se e ka fyer edhe në baza etnike. Qeveria tha se ky rast nuk do t’i përkeqësojë raportet me EULEX-in. KMDLNj akuzoi EULEX-in se duke suspenduar zyrtarin, po i pengon hetimet.


Shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak, tha se do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm në lidhje me zyrtarin e misionit evropian, i cili u suspendua bazuar në informacionet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe ka ofenduar stafin lokal.

Në mediat lokale është raportuar se një zyrtar i këtij misioni ka fyer shqiptarët në baza etnike si dhe ka kërcënuar punonjësit lokalë me largim nga puna po qe se raportonin rastet.
Menjëherë kam nxitur një hetim të brendshëm, i cili është duke vazhduar... Nuk mund ta akuzojmë apo gjykojmë askënd duke u bazuar në thënie.

“Sapo kemi marrë vesh për këtë, e kemi marrë me shumë seriozitet. Menjëherë kam nxitur një hetim të brendshëm, i cili është duke vazhduar. Unë po pres konkluzionet e këtij hetimi të brendshëm për të marrë vendimet e nevojshme”.

“Dua të them se, si gjithmonë, në sundimin e ligjit pohimet janë pohime. Nuk mund ta akuzojmë apo gjykojmë askënd duke u bazuar në thënie. I kam marrë disa hapa konservativë, sepse në ndërkohë kam kuptuar se ky ekip nuk do të mund të punonte në mënyrën e duhur për shkak të situatës së krijuar”.

“Unë po pres përfundimet... bazuar në to dhe në seriozitetin, unë do t’i ndërmarr hapat e nevojshëm”, tha shefi i EULEX-it,
Ksavier de Marnak.

Ai kërkoi që rasti të mos paragjykohet.

Duhet të jemi korrektë. Nëse ka pasur shkelje të kodit të sjelljes, kjo do të dënohet. Por, ka shumë mënyra për të shkelur kodin e sjelljes... Dua të theksoj se edhe rrjedhja e informacionit jashtë misionit, është po ashtu shkelje e kodit të sjelljes. Secili duhet te jetë korrekt”, tha Marnak.

Në konferencën e përbashkët me gazetarë, pas takimit të Bordit për Sundimin e Ligjit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi e quajti të drejtë vendimin e EULEX-it për suspendimin e zyrtarit të dyshuar se ka abuzuar me detyrën zyrtare.
Veprimet eventuale nuk i prishin raportet mes Qeverisë dhe EULEX-it.

Mendoj se vendimi që e ka marrë zoti Marnak është në përputhje me rregullat e brendshme, por edhe me parimet e përgjithshme demokratike. Ne e kemi të qartë se veprimet eventuale nuk i prishin raportet mes Qeverisë dhe EULEX-it, sikur që e kemi të qartë se veprimet e tilla duhet të jenë të përgjegjshme dhe në përpurthje me ligjin t’i kenë edhe përgjegjësitë e tyre”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj vendimit të EULEX-it, duke e quajtur si tentim për të penguar hetimet.

Baki Svirca, duke i paraqitur qëndrimet e Këshillit, tha se deklaratat e zyrtarit të EULEX-it janë raciste.

KMDLNJ mendon se fyerja për punëtorët shqiptarë, ndjenjën e tyre kombëtare, fetare, simbolet kombëtare e veçmas flamurin, nuk është abuzim i thjeshtë. Një gjë e tillë është racizëm i pastër”, tha Svirca.

KMDLNJ ka tërhequr vërejtjen për, siç thuhet, paprekshmërinë e të punësuarve në misionet e huaja në Kosovë.
Masa e suspendimit për punëtorin e EULEX-it është e pamjaftueshme.

“Rasti i fundit i të punësuarit në misionin EULEX po dëshmon edhe një herë që imuniteti karshi ligjeve në Kosovë ka krijuar mundësi të tillë si rasti në fjalë. KMDLNJ konsideron se masa e suspendimit për punëtorin e EULEX-it është e pamjaftueshme. Një masë e tillë është një mesazh i keq për qytetarin e Kosovës”, tha Svirca.

Ligjet kosovare vazhdojnë të mos kenë efekt ndaj pjesëtarëve të misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Në emër të imunitetit që gëzojnë, të dhënë nga Rezoluta 1244 apo Plani i Ahtisarit, ata nuk ndiqen penalisht, edhe nëse bëjnë shkelje ligjore.

Në një raport të mëhershëm për Kosovën, Komisionari për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Tomas Hamarberg, pati kërkuar nga misioni evropian për sundimin e ligjit (EULEX) që të rrisë përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Vetë zyrtarët e EULEX-it kanë shpjeguar se personeli që punon në këtë mision, ka imunitet diplomatik dhe i njëjti nuk u nënshtrohet ligjeve vendore. Në rast të shkeljeve të mundshme trajtohen nga drejtësia e shtetit prej nga vijnë. Imuniteti po ashtu mund të hiqet nga shteti përkatës.

Por, a e ndjejnë zyrtarët e lartë të EULEX-it veten përgjegjës?

“Meqë jam shef i misionit, nuk mund të them se nuk jam përgjegjës, sepse jam përgjegjës për tërë misionin, por nuk mund të kontrolloj sjelljen e secilit. Ne po flasim për pohime. Nuk dua që dikush të dënohet para se të ketë përfundime të sakta se çfarë ka ndodhur”.

“Nëse duhet të ndërmerren hapa të fuqishëm, nuk do të hezitoj ta bëj këtë. Nuk ka dyshim për këtë”,
tha sot shefi i EULEX-it, Ksavier de Marnak.

Lexoni edhe këtë:
Limaj: EULEX-i po hetohet
XS
SM
MD
LG