Myftiu i provincës Dara, i cili është i emëruar nga autoritetet e Sirisë, ka dhënë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vrasjes së demonstruesve nga ana e forcave të sigurisë.
"Jap dorëheqje si pasojë e rënies së viktimave dhe martirëve nga zjarri i policisë. Ata shpallën se protestuesit nuk do të qëllohen, por e vërteta është ndryshe", i tha myftiu Rezk Abdulrahman Abazeid televizionit Al Jazeera.
Abazeid është lideri i parë fetar në Siri që jep dorëheqje për shkak të shtypjes së dhunshme të protestuesve.
Më herët, dy ligjvënës sirianë gjithashtu thanë se japin dorëheqje nga parlamenti si protestë për vrasjet e protestuesve.
Ligjvënësit Khalil al-Rifaei dhe Naser al-Hariri gjithashtu janë nga rajoni Dara.