Ndërlidhjet

GODO:"BEOGRADI BËNË POLITIKË ARTIFICIALE NDAJ KOSOVËS"


Sabri GODO, kryetar nderi i Partisë Republikane

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Godo, është thënë se menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, kryenegociatori Marti Ahtisari do të dalë me propozimin e statusit të Kosovës. A mendoni se do të respektohet ky afat apo mbase ka rrezik që sërish të ketë zvarritje?

SABRI GODO
Tashmë është konfirmuar nga shumë anë se Ahtisari ka pregatitur raportin e vet dhe do ta dorëzojë atë. Unë them se nuk do të ketë vonesa meqë komuniteti ndërkombëtar dhe vrojtuesit në përgjithësi janë të bindur për gjendjen kritike në të cilën jeton Kosova dhe se çdo zvarritje atje, mund të përmbante disa rreziqe, kështu që besoj se do të respektohet afati. Them se, e shumta brenda shkurtit, Ahtisari do të dorëzojë raportin e tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Politikanë serbë në Beograd thonë se kurrë nuk do të pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Cilat mund të jenë efektet e këtij qëndrimi të Beogradit?

SABRI GODO
Në Beograd bëhet një politikë artificiale lidhur me Kosovën. Duke se një pjesë e serbëve ende nuk janë shkëputur nga idetë shoviniste dhe forcat politike në Beograd në konkurencën mes tyre duket se llogarisin ende votat e nostalgjikëve për Serbinë e Madhe. Kjo e ekspozon Beogradin ndaj Evropës dhe kompromenton aspiratet e Serbisë për integrim. Gjithsesi nuk besoj se qëndrimi i Beogradit do të ndikojë në komunitetin evroperëndimor në dhënien e statusit të Kosovës.

RAIO EVROPA E LIRË
Bashkësia Ndërkombëtare nuk përjashton pavarësinë e Kosovës si opsion, por thujase heziton ta thotë këtë me gojën plotë. Megjithatë disa madje janë shprehur hapur kundër pavarësisë së Kosovës. Si e shpjegoni këtë pozicionim ambivalent të bashkësisë ndërkombëtare?

SABRI GODO
Ky është një qëndrim ekuivok. Në realitet të gjithë e pranojnë se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje, por evitohet përdorimi i termit pavarësi me sa duket për të zbutur qëndrimin e Rusisë dhe eventualisht edhe të Kinës. Kosova do të ketë konturat e një shteti të pavarur dhe kjo është jashtë çdo dyshimi. Këtu kemi të bëjmë me një truk diplomatik. Gjithësesi unë them se thelbi i gjërave nuk do të ndryshojë dhe kushdo tashmë është i bindur, me përjashtim të disa rrymave në Beograd e diku jashtë tij, që nuk ekziston asnjë zgjidhje tjetër për problemin kosovar, që duket se është një lloj ngërçi për politikën evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të kishte bërë më shumë klasa politike në Prishtinë që statusi i Kosovës të zgjidhej më shpejt dhe në rrugë më efektive?

SABRI GODO
Më duket se është provuar që klasa politike në Kosovë megjithë konfliktet e brendshme që shpesh ashpërsohen e diku marrin edhe pamje dramatike e destabilizuese, kanë ditur të qëndrojnë së bashku gjatë negociatave për pavarësinë e Kosovës dhe kjo flet në favor të tyre. Por, unë do të thoja që do duhej më pak ashpërsi në këto rivalitete politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është roli i Tiranës zyrtare në zhvillimet e deritanishme dhe ato të pritshme rreth Kosovës?

SABRI GODO
Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të matur, ka bërë çmos të mos bjerë nën akuzën se po ndërhyn në Kosovë. E më tepër ka ruajtur veten, por unë do të thosha se do të bënte më mirë të ishte më e pranishme në Kosovë e sidomos të zhvillonte marrëdhënie ekonomike e të fushave të tjera në Kosovë ashtu siç bëhet me një vend fqinj e me të cilin të lidhin edhe shumë gjëra të tjera si gjuha, historia, prejardhja e kështu me radhë. Mua nuk më duket se kanë qenë plotësisht efiçente politikat e Tiranës ndaj Kosovës. Jemi ndruajtur më tepër se ç'duhet, jemi ruajtur nga hijet. Them se ky qëndrim është korrigjuar në vitet e fundit, por megjithatë nuk është bërë aq sa duhet.

Intervistoi: Klodi MESHI
XS
SM
MD
LG