Ndërlidhjet

DISA NGA KOMPANITË E PRIVATIZUARA MUND TË FALIMENTOJNË


Nadie Ahmeti

Shumica e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë privatizuar pa obligime të caktuara për blerësit, po përballen me mungesë të mjeteve financiare, duke mos pasur mundësi që të fillojnë punën, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë ekzekutive e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se procesi i privatizimit ka qenë i mirëpritur në fillim dhe i domosdoshëm, por tash gjërat kanë ndryshuar. Ajo thotë se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, së bashku me Qeverinë e Kosovës është dashur të gjejnë forma tjera alternative për financimin e procesit të privatizimit. “AKM është dashur të brengoset, bashkë më Qeverinë e Kosovës - pa e përjashtuar këtu për arsye se I kemi ministrat në bordin e AKM- së - për kapitalin I cili investohet në kompanitë dhe të gjenden forma alternative për financimin e procesit të privatizimit, jo vetëm ato standarde që janë në treg”, thotë zonja Kusari Lila.
Por, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, e vlerëson të suksesshëm procesin e deritashëm të privatizimit. Ekrem Tahiri, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se sukseset e këtij procesi kanë filluar të shihen me punën që kanë filluar disa ndërmarrje të cilat janë privatizuar. “AKM e vlerëson procesin e privatizimit shumë të suksesshëm më gjithë faktin se një numër i madh i ndërmarrjeve vetëm gjatë vitit 2006 janë vendosë në treg për privatizim dhe janë privatizuar. Gjithashtu ne jemi dëshmitarë të një pune mjaft të mirë nga shumica e këtyre ndërmarrjeve, posaçërisht nga ato që janë privatizuar më spin-off special. Por është edhe një numër i madh i atyre që janë privatizuar më spin-off të rregullt dhe tek të cilat vetëm po i shohim rezultatet tani”, thotë zoti Tahiri.
Mimoza Kusari- Lila, tha se ndërmarrjet shoqërore të cilat janë privatizuar kanë ngecje në aspektin financiar, sepse procesi i privatizimit nuk ka mbështetje në sistemin bankar. Ky sistem, sipas saj, është dashur t’i ofrojë mundësi të volitshme kreditimi kompanive të privatizuara. “Dihet se kreditë nuk janë edhe aq të volitshme, kamatat janë më të lartat në rajon. Ka ndërmarrje që 15 vjetë nuk kanë punuar dhe nuk ka kthim të menjëhershëm të investimeve dhe shumë kompani kanë hasur në vështirësi. Mund të përmendim edhe kompanitë të cilat kanë pasur një kapital më të madh financiar apo kanë pasur partner më të fuqishëm që I kanë mbështetur ata në procesin e privatizimit. Ato janë përjashtime dhe janë mjaft”, tha zonja Kusari Lila.
Sidomos gjatë këtij viti, kur shumë gjëra do të definohen, zonja Kusari- Lila thotë se institucionet vendore duhet të fokusohen më tepër në aspektin ekonomik. “Kjo mund të vijë edhe më statusin. Statusi ka paraqitur problem, por problem paraqet edhe tashti, se Kosova nuk ka pasur mundësi që të marrë kredi ashtu siç munden vendet tjera. Do të thotë kompanitë komerciale janë ballafaquar vetëm më bankat komerciale e jo më banka që japin kredi zhvillimore”, thotë ajo.
Në të kundërtën zonja Kusari- Lila, thotë se kompanitë do të përballen edhe më falimentim, pa pasur mundësi fare që të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ajo madje thotë se si pasojë, këto kompani mund të rishiten nga pronarët që aktualisht kanë. “Do të ballafaqohemi edhe më këtë, do të kemi një numër të konsiderueshëm të kompanive të privatizuara që nuk do të mund të bëjnë as një ditë pune për shkak të investimeve në atë kompani. Atëherë do të pasojë edhe tjetra ku do të bëhet rishitja e këtyre kompanive nga pronarët e tanishëm për të mundësuar ndonjë lëvizje në atë aspekt”, thotë zonja Kusari Lila.
Sidoqoftë, që prej fillimit të procesit të privatizimit, rreth 300 ndërmarrje shoqërore janë privatizuar apo janë në proces të nënshkrimit të kontratës për privatizim. Prej tyre 16 janë privatizuar më spin-off special, që nënkupton obligime të caktuara për blerësit dhe ato janë duke funksionuar me rregull. Për të tjerat ndërkaq, 284 prej tyre, të cilat janë privatizuar me spin-off të rregullt, pa obligime, AKM nuk ka njohuri se a kanë filluar punën.


XS
SM
MD
LG