Ndërlidhjet

BARTJA E PLOTË E PËRGJEGJËSIVE - KATËR MUAJ PAS STATUSIT


Rrahman Paçarizi

Bartja e plotë e pushtetit nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës do të bëhet katër muaj pas përcaktimit të statusit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, koordinatori kosovar i grupeve punuese për tranzicionin, Avni Arifi. Ai tha se grupet punuese për realizimin e tranzicionit të pushtetit nga UNMIK-u në institucionet e Kosovës pas përcaktimit të statusit janë në vlugun e punës dhe shpresojnë që kur të vijë koha e bartjes të jenë krejtësisht të gatshëm për këtë bartje. Zoti Arifi tha se tashmë janë krijuar të gjitha mekanizmat e nevojshme për realizimin e këtij procesi. “Ne konsiderojmë se duke marrë parasysh momentin në të cilin kemi filluar përgatitjet për bartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u tek institucionet tona, janë krijuar të gjithë mekanizmat dhe e gjithë struktura e cila do të mbikëqyrë, do ta implementojë dhe do të përcaktojë parametrat e të gjitha përgjegjësive që duhet të barten”, tha zoti Arifi.
Aktualisht disa nga kompetencat, përfshirë ato që lidhen me pakicat dhe lidhur me politikat financiare ende janë në duart e UNMIK-ut dhe zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara kanë thënë së fundi se ajo pjesë e kompetenca nuk do të dorëzohet deri në fund të mandatit. Zoti Avni Arifi tha se për këtë arsye janë formuar gjithë ata mekanizma dhe në të janë përfshirë edhe komisionet ndërministrore, në mënyrë që gjithçka të jetë gati, kur të vijë koha. “Për fazën për të cilën po flasim, jemi në rrugë të mirë që në momentin kur bartja e përgjegjësive të ndodhë, ne të jemi të gatshëm”, tha zoti Arifi.
Mirëpo, bartja e të gjitha përgjegjësive dhe kalimi i plotë i pushtetit nga UNMIK-u tek institucionet e Kosovës nuk do të ndodhë menjëherë pa përcaktimit të statusit, tha koordinatori Avni Arifi, njëherësh këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës Agim Çeku. “Po, sipas të gjitha gjasave, bartja e përgjegjësive do të ndodhë diku rreth katër muaj pasi të merret vendimi për Kosovën në KS, pra po flasim pë katër muaj pas asaj periudhe”, tha zoti Arifi.
Sidoqoftë, njëherë për një herë duhet të pritet shpalosja e propozimit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, një propozim ky që do të kalojë përmes disa mekanizmave dhe pritet të marrë një kohë. Sidoqoftë, zyrtarët e Kosovës besojnë se gjatë vjeshtës do të kryhet edhe procesi i tranzicionit të pushtetit.
XS
SM
MD
LG