Ndërlidhjet

VARFËRINË NUK E ZBUSIN SKEMAT SOCIALE


Nadie Ahmeti



Mbi 17 për qind nga shuma e përgjithshme buxhetit të konsoliduar të Kosovës, këtë vit do të t’i takojë Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, për t’ua shpërndarë familjeve në gjendje të rëndë socio- ekonomike. Mustafë Garaj, udhëheqës i Institutit për Politikë Sociale, në kuadër të kësaj ministrie, tha se mbi 42 mijë familje gjenden në listën e skemës sociale, të cilat marrin prej 37 deri në 67 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve që kanë. Zoti Garaj, thotë se ky numër është shumë i madh, sepse sipas tij, varfëria në Kosovë nuk mund të zbutet më dhënien e ndihmave sociale, por duhet të gjenden politika që mundësojnë hapje të vendeve të reja të punës.
“Dhe kjo në Kosovë nuk është shpjeguar drejtë, sepse t’i japësh ndihmë dikujt nuk do të thotë se do të zbusësh varfërinë. Të zbusësh varfërinë, do të thotë të punësosh dikë, që ai pastaj me të ardhurat e veta të sigurojë ekzistencën. E kjo ndihma që i jepet, i jepet vetëm sa për të mbetur gjallë” tha zoti Garaj.
Një gjë të tillë ndërkaq e pohojnë edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Ibrahim Makolli, tha se varfëria në Kosovë vazhdimisht po shënon rritje dhe për këtë arsye institucionet vendore duhet të gjejnë forma alternative për luftimin e varfërisë në Kosovë. Si formë të mundshme, zoti Makolli përmend shfrytëzimin e mjeteve financiare nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. “Të futen në funksion, për të krijuar mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës. Sikurse edhe format tjera, që institucionet do të mund të japin kredi për sektorin privat, në mënyrë që të gjenerojë sa më shumë vende të reja punë ne të ardhëm’ tha zoti Makolli.
Zoti Garaj, ndërkaq pohon se Instituti për Politika Sociale, ka kërkuar që kategoria e dytë që merr nga 37 euro në muaj, të largohet nga skema sociale, por sipas tij, një gjë të tillë nuk e ka lejuar Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Sepse ato janë familje që mund të gjallërojnë, ndërkaq ato mjete do të orientoheshin nga punësimi I tyre. Por, këtu ka bërë presion Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nuk ka lejuar me heq atë, prandaj ne jemi të varur nga këto dy institucione” tha zoti Garaj.
Ndryshe, sipas një raporti të Bankës Botërore në Kosovë, thuhet se 37 për qind e popullsisë së përgjithshme në Kosovë jeton në varfëri, ndërkaq mbi 15 për qind jeton në varfëri të skajshme. Mustafë Garaj, nga Ministria e punës, thotë se këto të dhëna mund të jenë edhe më të mëdha.
“Prandaj ne insistojmë që këtë vit, Instituti për Politikë Sociale, të bëjë një hulumtim vetë dhe të dalë pastaj më të gjitha të dhënat që janë me ndikim në shkallën e varfërisë. Dhe më ato konstatime që dalin, të mundohemi për të dalë nga varfëria” tha zoti Garaj....
Sipas raportit të Bankës Botërore në Kosovë, 37 për qind e popullsisë jetojnë më me pak se 1.47 euro në ditë, ndërkaq mbi 15 për qind me më pak se 0.93 cent në ditë.
XS
SM
MD
LG