Ndërlidhjet

KUSHTETUTA E RE APROVOHET PAS DEFINIMIT TË STATUSIT


Albana Isufi

Pas iniciativave të ndryshme, së fundi hartimi i Kushtetutës së Kosovës i është besuar grupit tranzitor kushtetues që përbëhet nga anëtarë të subjekteve kryesore politike në Kosovë si dhe nga përfaqësues ndërkombëtarë. Nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi, i cili është kryesues i këtij grupi thotë se puna në këtë grup nuk ka filluar ende.
“Tani do ta kemi një qasje të re do ta quaja, në kryesim nga vendorët dhe bashkë-kryesim nga ndërkombëtarët dhe besoj se shumë shpejt do të fillojmë. Këto ditë kanë qenë ditë të pushimit për faktorin ndërkombëtar, por në ditët e para të javës së ardhshme do të fillojmë konkretisht”, tha Kuçi. Ai thotë se Kushtetuta do të hartohet duke marrë për bazë normat juridike të kushtetutave të vendeve tjera, por edhe të akteve të larta juridike të Kosovës.
“Mendoj se ka norma juridike të mira, që do të merren prej vendeve tjera, prej kushtetutave paraprake të Kosovës, që kanë qenë ta zëmë Kushtetuta e Kaçanikut apo Korniza Kushtetuese. Por, baza juridike nënkupton se do ta bëjmë një kushtetutë moderne për një shtet të ri demokratik dhe një republikë parlamentare”, tha Kuçi.
Por, pavarësisht këtyre iniciativave, këshilltari për media i kryetarit të Kuvendit Skënder Durmishi, thotë se fjalën kryesore do ta thotë Kuvendi i Kosovës. Durmishi thotë se në Kuvend do të miratohet shumë shpejt Këshilli Kushtetues, nëpër të cilin do të kalojnë më pas procedurat për hartimin e Kushtetutës.
“Tërë puna në hartimin e kushtetutës finalizohet, vuloset, ratifikohet në Kuvendin e Kosovës ku legjitimohet i tërë procesi. Rol të rëndësishëm në këtë fazë ka pa dyshim Grupi i Unitetit si vend i konsensusit rreth orientimeve dhe prioriteteve”, tha Durmishi.
Megjithatë, z.Durmishi thotë se edhe pas miratimit, Këshilli Kushtetues do të marrë për bazë punën që është bërë nga ekspertët të ndryshëm në hartimin e dokumentit me të lartë juridik të Kosovës.
“Asgjë, s’do të thosha se duhet të fillohet nga zeroja, sepse çdo gjë ka një kontinuitet, e edhe ne këtë çështje do të merren për bazë propozimet, projektet , idetë dhe iniciativat tjera, por në Kuvend, vulosen e legjitimohen të gjitha këto procese”, thotë Durmishi.
Kohë më parë, në kuadër të Grupit Politik Strategjik qe krijuar një grup tjetër për hartimin e kushtetutës, por nga ai nuk pati dalë ndonjë projekt konkret. Zëdhënësi i Ekipit Neociator Skender Hyseni, thotë se ai grup është modifikuar me qëllim të shtimit të efikasitetit. Ndërsa, grupi i tashëm kushtetues dhe grupet tjera të fomuara së fundi, sipas Hysenit do të lehtësojnë kalimin e fazës së tranzicionit.
“Me vendosjen e statusit, përkatësisht me vendosjen e pavarësië, Kosova hyn në periudhën e tranzicionit, që nënkupton bartjen e përgjegjësive dhe kompetencave nga UNMIK-u te institucionet kosovare. Prandaj, e tërë kjo në shikim të parë duket e ndërlikuar dhe komplekse, por është diçka që është dashur të bëhet kësisoji në mënyrë që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe efikas”, tha Hyseni.
Ndryshe, kryesuesi i grupit punues për kushtetutën Hajredin Kuçi thotë se projekti final i Kushtetutës nuk mund të kryhet pa u përcaktuar statusi final i Kosovës.
“Ne duhet ta kemi të qartë, me definimin e statusit final të Kosovës krijohet baza juridike dhe politike për kushtetutën e re të Kosovës. Por, paraprakisht parimet mund te bëhen, ndërsa Kushtetuta mund të hartohet vetëm pas definimit të statusit”, tha Kuçi.
Ai konsideron se projekt-kushtetuta duhet të miratohet nga dy të tretat e Kuvendit të Kosovës, ose nëse do të ketë kohë edhe të hidhet për votim në referendum.


XS
SM
MD
LG