Ndërlidhjet

UASHINGTON


Presidenti amerikan, George Bush tha mbrëmë vonë në Uashington, se ai dëshiron që ta ndalë konfliktin e përgjakshëm civil në Irak, duke dërguar edhe 21.500 ushtarë të Shteteve të Bashkuara në këtë vend.
Në fjalimin televiziv drejtuar kombit amerikan, presidenti Bush u shpreh i vetëdijshëm se ka bërë disa gabime në udhëheqjen e luftës pothuajse katërvjeçare, por tha se është i përkushtuar për ta mbajtur Irakun që të mos rrëshqasë në kaos.
Ai tha se është jetësore për t'i goditur tash militantët dhe kryengritësit sektarë irakianë. Në të kundërtën, tha Bush, detyra e Shteteve të Bashkuara do të bëhet dyfish më e vështirë.
"Kthimi prapa do ta shkatërronte qeverinë e Irakut, do të shkaktonte ndarjen e vendit dhe do të rezultonte me vrasje masive në një shkallë të paimagjinueshme. Një skenar i këtillë do të rezultonte që trupat tona të detyrohen të mbeten në Irak edhe më gjatë dhe të konfrontohen me një armik që është edhe më vdekjeprurës", tha presidenti Bush. Mëtutje, ai tha se punën e vështirë në Irak nuk do ta bëjnë vetëm forcat amerikane, po edhe kryeministri al-Maliki duhet ta marrë përgjegjësinë për sigurinë e vendit të tij.
"Ia kam bërë të qartë kryeministrit dhe liderëve të tjerë irakianë se përkushtimi i Amerikës nuk është i pakufizuar. Nëse qeveria e Irakut nuk i realizon premtimet e veta, do ta humbë mbështetjen e popullit amerikan dhe do ta humbë mbështetjen e popullit të Irakut. Tash është koha për të vepruar. Kryeministri e kupton këtë", tha presidenti Bush, për të shtuar se al-Maliki ka premtuar ta marrë përgjegjësinë për siguri në gjithë Irakun në nëntor të këtij viti.
XS
SM
MD
LG