Ndërlidhjet

SA E RREZIKON NDARJA E LDK-SË KOALICIONIN QEVERISËS?


Zijadin Gashi

Koalicioni aktual qeverisës në Kosovë nuk sheh rrezik të një krize qeveritare pas konfirmimeve tashmë se krahu politik i Nexhat Dacit do të ndahet nga LDK-ja për të formuar një subjekt të ri politik. Në anën tjetër, opozita vlerëson se ky koalicion ishte në krizë që nga formimi. Sidoqoftë, në koalicionin qeverisës nuk besohet se do të ketë krizë qeveritare dhe se ky koalicion thuhet se do të ruajë të paktën minimumin prej 61 votave në Kuvend që do të sigurojë funksionimin e qeverisë dhe Kuvendit. Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla thotë se koalicioni LDK-AAK i ka të siguruara votat dhe mbështetjen e nevojshme të Kuvendit për të vazhduar të qeverisë edhe më tutje.
“Nuk konsideroj se do të ketë krizë qeveritare për arsye se rregullat dhe ligjet në fuqi përcaktojnë në mënyrë shumë të përpiktë se si duhet të formohet partia e re, çfarë do të jetë akronimi i saj dhe të tjera, prandaj nuk mendoj se ekziston rreziku i krizës qeveritare, koalicioni i ruan 61 vota dhe është stabil”, theksoi Gjylnaze Syla.
Në anën tjetër, opozita vlerëson se ky koalicion ishte në krizë të vazhdueshme që nga formimi. Hajredin Kuçi, deputet dhe nënkryetar i PDK-së, thotë se kriza qeveritare duhet shikuar jo vetëm për kah sigurimi i numrit minimal prej 61 votave në Kuvend, por më shumë për kah funksionimi i saj si qeveri.
“Këtë koalicion qeverisës e kanë përcjellë kriza që nga themelimi i saj e deri më sot dhe asnjëherë nuk e ka pasur një stabilitet do ta quaja në kuptimin e legjitimitetit demokratik dhe të vet formës së veprimit të saj. Mendoj se ndarja në dy parti do ta theksojë edhe më tutje këtë diversitet dhe humbjen e legjitimitetit. Mendoj që kriza qeveritare duhet të shihet nga ana e opozitës, jo si bashkëpunim i dikujt kundër dikujt, por si nevojë për ndryshimin e mentalitetit qeverisës në Kosovë, ndryshimin e koalicioneve të brishta të cilat ekzistojnë dhe ndërtimin e koalicioneve mbi bazën e marrëveshjeve konkrete politike dhe jo të pozitave dhe përfitimeve individuale”, tha Kuçi
Ndërkohë, Teuta Sahatçia, shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste Ora thotë se Kosova ka ruajtur unitetin për disa çështje që cilësohen si madhore. Mirëpo, në rast të krizës qeveritare, ajo e porosit koalicionin që të mos llogarisë në votat e partisë Ora. Koalicioni siç është formuar duhet edhe t’i ruajë votat dhe shumicën e nevojshme, thekson Sahatçia.
“Ne si opozitë e kam thënë edhe më parë dhe po përsëris, se nuk e kemi për obligim që t’i mbajmë kuorumin qeverisë. Qeveria nëse mendon se është e zonja që të qeverisë vendin, duhet të jetë e zonja edhe ta sigurojë kuorumin. Mendoj që për çështje madhore, si statusi, simbolet, kushtetuta, zgjedhjet e tjera, çdo parti deri tash ka dëshmuar një unitet”, tha Sahatçia.
Mirëpo ruajtja e unitetit për çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës mbetet më shumë një sfidë për Ekipin Negociues. Kurse nga nesër, LDK-ja dhe koalicioni aktual, vlerësohet se nuk mund të llogarisin në katër deri në pesë vota të deputetëve në Kuvend, pasi që ata i përkasin partisë së Nexhat Dacit, e cila pritet të mbajë Këshillin Nismëtar nesër. Sidoqoftë, Lulëzim Zeneli nga krahu politik i Nexhat Dacit tha shkurt se Këshilli dhe organet e partisë do të vendosin ditëve në vijim për të gjitha çështjet e rëndësishme, përfshi këtu edhe pozicionin ndaj qeverisë dhe politikave të saj.



XS
SM
MD
LG