Ndërlidhjet

BRUKSEL


Bashkimi Evropian do të mbetet i angazhuar në çështjet e Kosovës, ka thënë sot përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Havier Solana, pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Ne do të vazhdojmë shtimin e angazhimit tonë pasi ne dëshirojmë që Kosova të jetë stabile në mënyrë që edhe rajoni të jetë stabil", tha zoti Solana. Ai nuk e elaboroi më tepër këtë çështje, por tha se forma dhe mënyra e këtij agazhimi do të varen nga specifikat e vendimit të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, me gjasë, në fillim të shkurtit, do ta paraqesë propozimin e tij. Presidenti Sejdiu tha se qeveria e Kosovës e mirëpret praninë e vazhdueshme të NATO-s dhe të BE-së, e të trupave të tjera ndërkombëtara, që do ta zëvendësojnë misionin e Kombeve të Bashkuara. "Përkushtimi ynë është që ta shohim një Kosovë të pavarur, të integruar në strukturat evropiane", tha zoti Sejdiu dhe shtoi se "ne dëshirojmë ta shohim ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe që Kosova të bëhet një faktor i rëndësishëm i stabilitetit rajonal".
XS
SM
MD
LG