Ndërlidhjet

SERWER:"KOSOVËS I DUHET QARTËSIA DHE JO AMBIVALENCA"


Daniel SERWER, Instituti për Paqë në SHBA

RADIO EVROPA E LIRË
Pritet që pas zgjedhjeve në Serbi, i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari do ta paraqesë raportin e tij. Por, nuk është shumë e qartë nëse këtë raport do ta shohim menjëherë pas zgjedhjeve apo pasi të formohet qeveria e re atje. Çka mendoni ju për këtë çështje?

DANIEL SERWER
Nuk jam i sigurtë. Mendoj se kosovarët do të përpiqen të lëvizin shpejtë, ndërsa Beogradi do të përpiqet ta ngadalësoj procesin, për t'i shtyrë gjërat sa më shumë që të jetë e mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse mendoni se Beogradi dëshiron t'i shtyjë gjërat?

DANIEL SERWER
Këto gjëra nuk po lëvizin në drejtimin që dëshirojnë ata dhe sa më shumë që të shtyhet, ka më shumë gjasë që shqiptarët do të bëjnë gabim dhe ekstremistët shqiptarë të sulmojnë serbët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A është kjo e ndërlidhur me atë që ju e thatë para disa javësh, kur parashikuat disa probleme, sa i përketë çështjes së statusit final të Kosovës. A mund ta shpjegoni më hollësisht këtë çështje?

DANIEL SERWER
Mendoj se amerikanët dhe evropianët nuk po tregojnë një lloj vendosmërie, që kërkohet në këtë pikë. Ata po lejojnë shtyrje dhe dykuptimësi. Më duket se ka njerëz në Prishtinë, dhe përgjithësisht në Kosovë, të cilëve kjo nuk u pëlqen dhe të cilët janë të pakënaqur. Me gjasë këtë pakënaqësi ata do ta shprehin herët ose vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është rruga e drejtë që duhet të ndiqet, sipas jush?

DANIEL SERWER
Pikëpamja ime është se ajo që na duhet tash është një zgjidhje e qartë dhe e shpejtë. Pra, kjo është saktësisht ajo që nuk po ndodhë. Çfarë zgjidhje do të kemi është krejtësisht çështje tjetër. Por, t'ju them të drejtën, nuk mendoj se ka shumë opsione. Në këtë pikë, nuk ka shumë zgjidhje, përveç një vendimi të qartë në favor të sovranitetit të Kosovës. Në këtë aspekt mendoj se ju mund të keni shtet sovran në Kosovë. Ky shtet do të jetë me disa elemente të decentralizimit, që serbët në masë të madhe të mund ta qeverisin vetëveten. Por, nuk mendoj se ka mbetur ndonjë opsion që Kosovën e lë si pjesë të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas raportit të zotit Ahtisaari, çështja do të kaloj në Këshillin e Sigurimit. Por Rusia thotë se do ta kundërshtoj çfarëdo vendimi me të cilin nuk do të pajtohet Beogradi. Si i parashihni ju këto zhvillime?

DANIEL SERWER
U mbetet amerikanëve që ta bëjnë të sigurtë se rusët do të tërhiqen nga kërcënimi me veto. Për fat të keq, në këtë pikë, nuk po shohë përgatitje serioze amerikane për ta bërë këtë. Mendoj se është me të vërtetë një hendek jashtëzakonisht i madh ndërmjet asaj se çka duhet të bëhet dhe vullnetit politik për të bërë atë që duhet në Uashington dhe Bruksel.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, nëse Rusia do ta përdorë veton, nga pikëpamja juaj, a ekziston ndonjë mundësi që vendet e tjera perëndimore do ta marrin çështjen në duart e veta?

DANIEL SERWER
Unë shpresoj se nëse në Këshillin e Sigurimi nuk kalon një zgjidhje e kënaqshme, atëherë amerikanët dhe së paku disa vende evropiane, duhet të jenë të përgatitura për të vepruar në mënyrë të njëanshme. Gjasat e vetos ruse të zvogloheshin nëse ata tash e bëjnë absolutisht të qartë se do të veprojnë prej 1 prillit, pavarësisht se çdo të bëjë Këshilli i Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Serwer, në fund dëshiroj t'ju pyes për statusin final të Kosovës. Si e shihni ju atë dhe kur ai do të vijë?

DANIEL SERWER
Besoj se statusi i ardhshëm i Kosovës do të duhej të ishte një status i shtetit sovran, por njëherë me svoranitet të kufizuar. E them këtë sepse duhet të ketë kufizime në menaxhimin e proceseve gjyqësore, që përfshijnë shqiptarët dhe serbët, për shembull. Ushtarët e NATO-s ende duhet të jenë
atje dhe duhet të ketë një prani ndërkombëtare. Shumë shtete kanë jetuar me një sovranitet të këtillë të kufizuar. Gjermania për shumë vite, prej Luftës së dytë Botërore, e edhe sot, ka një sistem me sovranitet të kufizuar. Prandaj nuk shohë vërtetë se përse Kosova nuk mund të jetoj me sovranitet të kufizuar ose të mbikqyrur. Por, nuk mendoj se duhet të jetë e mbikqyrur ose e kufizuar në të gjitha aspektet. Mendoj se kufizimet duhet të ekzistojnë në ato fusha ku ka nevojë. Kjo nevojë, siç thamë ekziston në sistemin e gjyqësisë, ku duhet të kemi prokurorë ndërkombëtarë dhe gjyqtarë, për t'u marrë me rastet ndëretnike. Pastaj, kjo nevojë ekziston në fushë të sigurisë së përgjithshme dhe duhet t'i keni atje ushtarët e NATO-s. Por, nuk mendoj se ndërkombëtarët duhet të marrin përgjegjësi të gjëra, siç i morën në Bosnjë, për shembull.

Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG