Ndërlidhjet

SFIDAT PËRBALLË VERSIONIT TË TRETË TË STRATEGJISË DHE PLANIT ZHVILLIMOR TË KOSOVËS


Nadie Ahmeti

Për shkak të disa vërejtjeve në draft-dokumentin e Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës për periudhën 2007-2013, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të shuhet sekretariati i cili ka hartuar këtë strategji, dhe zbatimi i saj ka kaluar në mbikëqyrje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Ministri Haki Shatri, tha se nga qeveria dhe subjektet e tjera që janë përfshirë në hartimin e këtij dokumenti, strategjia është vlerësuar si një bazë e mirë e zhvillimit, megjithëse nuk është vlerësuar si dokument përfundimtar.
“Vërejtjet konkrete që janë bërë në vlerësim të kësaj pune, nuk kanë definuar qartë prioritetet sektoriale. Ky do të jetë obligim i Ministrisë së Financave, deri në finalizim. Pra, do të kemi fazën e dytë të përgatitjes dhe përcaktimit strikt të strategjive sektoriale”, tha zoti Shatri.
Me gjithë faktin se mandati i sekretariatit është dashur të përfundojë në dhjetor të vitit të kaluar, udhëheqësi i sekretariatit për hartimin e kësaj strategjie, Muhamet Sadiku, tha se shuarja e këtij mekanizmi ka ndodhur më shpejt se që ishte paramenduar. Ai, ndërkaq, tha se misioni i paraparë nga ky sekretariat ka përfunduar me sukses dhe tash mbetet që kapacitetet e krijuara nga ky proces të shfrytëzohen me maturi.
“Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm që këto kapacitete, të cilat i kemi krijuar gjatë këtij procesi t’i shfrytëzojmë me mençuri, sepse nëse nuk e bëjmë këtë, strategjia do të gjendet në një situatë të palakueshme”, tha zoti Sadiku.
Ndërkaq, sa i përket vërejtjeve që kanë dalë nga shqyrtimi i këtij drafti, zoti Sadiku pohon se sekretariati ka ofruar vetëm draftin e parë të këtij dokumenti dhe përmes diskutimeve me shoqërinë kosovare, dokumenti është dashur të avancohet, përshtatet dhe korrigjohet. Dhe për këtë zoti Sadiku, shpreh dyshimin se vetëm një ministri nuk mund të bëjë një gjë të tillë.
“Kjo do të bëhej më mirë nëse këtë do ta bënin njerëzit që janë familjarizuar më këtë proces dhe e dinë këtë proces më se miri”, tha zoti Sadiku. Por, ministri Shatri theksoi se finalizimi i kësaj strategjie pritet të bëhet në fund të muajit qershor, ndërkaq zbatimi i këtij procesi pritet të fillojë në vitin e ardhshëm.
“Gjatë tërë vitit bëhet një përgatitje, që në vitin e ardhshëm të fillojë zbatimi i tij gradual, varësisht prej mundësive”, tha ministri Shatri.
Ndryshe, që prej përfundimit të luftës, kjo është strategjia e tretë që hartohet. Arsyet e dështimit të dy të parave nuk janë bërë publike.
Por, zoti Sadiku, thotë se kjo strategji nuk duhet të ketë fatin e strategjive të mëparshme.
“Kosova nuk ka pasur në të kaluarën një strategji. Kjo është hera e parë që ka një strategji të bazuar në konceptin e planifikimit evropian, të bazuar në pronësinë kosovare”, tha zoti Sadiku.
Sidoqoftë për hartimin e kësaj strategjie deri më tash janë ndarë 700 mijë euro, por çmimi për finalizimin e strategjisë, që në fillim të hartimit të saj, ishte vlerësuar në 2.5 milionë euro. Synimi parësor i një strategjie të këtillë është zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike.



XS
SM
MD
LG