Ndërlidhjet

FUSHATA PARAZGJEDHORE E PARTIVE POLITIKE SERBE NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi

Dy tubime parazgjedhore të partive nga Serbia që janë mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Zveçan, kanë dërguar porosi që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar ruajtjen e Kosovës në Serbi, synimin e tyre primar politik. Fillimisht, Partia Social-Demokratike e Serbisë e ish-kryetarit të Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, Nebojsha Çoviq, ka mbajtur një tubim parazgjedhor në Zveçan. Çoviq u ka thënë të tubuarve se Evropa mundet pa Serbinë, por jo edhe Serbia pa Evropën. Ai tha se Serbia ndodhet para sfidave të mëdha, të cilave qytetarët dhe politikanët duhet t’u japin përgjigjen e qartë, se asgjë nuk guxon të jetë mbi interesin e shtetit dhe të qytetarëve dhe se të gjithë së bashku duhet t’i kontribuojnë hyrjes së Serbisë në Evropë. Çoviq theksoi se ky fakt në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt i manipulimeve politike, sidomos kur është fjala për statusin e Kosovës. Sipas tij, çfarëdo forme e pavarësisë për Kosovën do të shkaktonte destabilizim të të gjithë rajonit.
“Çfarëdo heqje e territorit të një vendi të pranuar ndërkombëtarisht siç është Serbia, ndryshon standardet në rajon dhe automatikisht vendet e tjera në rajon mund të kërkojnë të sillen njëjtë”, tha Çoviq, sipas të cilit termet si “pavarësi e kushtëzuar” apo “pavarësi e mbikëqyrur”, janë vetëm terminologji për pavarësinë e Kosovës.
Tubim parazgjedhor ka mbajtur sot në pjesën veriore të Mitrovicvës edhe Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë për krime lufte. Sekretari i përgjithshëm i radikalëve, Aleksandër Vuçiq, u tha të tubuarve se në qoftë se partia e tij fiton në zgjedhje, qeveria e radikalëve kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.
“Neve na intereson që Kosova të jetë dhe të mbetet pjesë e Serbisë, kjo është ajo që e intereson Partinë Radikale të Serbisë”, tha Aleksandër Vuçiq. Një tubim parazgjedhor në Mitrovicë ka mbajtur dje edhe Partia Demokratike Serbe e presidentit aktual të Serbisë, Boris Tadiq.
Tubimet parazgjedhore të partive nga Serbia që këtë javë kanë nisur të mbahen edhe në disa enklava serbe në Kosovë, janë organizuar nga subjektet politike nga Serbia, të cilat kanë degët e tyre në Kosovë e që garojnë për vende në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet e 21 janarit.

XS
SM
MD
LG