Ndërlidhjet

STATUSI PЁRCAKTON ZGJEDHJET NЁ KOSOVЁ


Rrahman Paçarizi

Zgjedhjet në Kosovë duhet të mbahen kah nëntori i këtij viti, pasi deri atëherë u skadojnë mandatet edhe Kuvendit të Kosovës, edhe asambleve komunale, tha për radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, Sven Lindholm. Mirëpo, sipas tij marrëveshja për statusin do të përcaktojë, nëse do të mbahen zgjedhjet lokale, zgjedhjet parlamentare apo të dyja përnjëherësh. Zoti Lindholm, duke komentuar një deklaratë të fundit të shefit të tij Werner Wnendt, tha se nëntori është një kohë kur do të duheshin mbajtur zgjedhjet në Kosovë.
“Kjo është një kohë që është llogaritur përafërsisht, pasi mandati trevjeçar i Kuvendit do të skadojë në nëntor, ndërsa mandati i kuvendeve komunale është zgjatur vetë, për një vit”, tha zëdhënësi Lindholm, duke sqaruar se nuk është në dorën e OSBE-së që tash për tash të thotë se në çfarë niveli do të mbahen këto zgjedhje.
“Kjo pjesë do të përcaktohet nga marrëveshja për statusin”, tha Lindholm, ndërkohë që deri në nëntor, nëse nuk merret ndonjë vendim tjetër, edhe Kuvendi i Kosovës, edhe kuvendet komunale do të jenë pa mandate.
Në anën tjetër, përpara mbajtjes së zgjedhjeve, kanë mbetur edhe shumë detaje të tjera pa u sqaruar. Shumica e partive politike, si dhe një numër organizatash joqeveritare vitet e fundit kanë kërkuar që të votohet me lista të hapura dhe jo si deri më tash, kur votohej për partitë dhe jo për individët. Zëdhënësi Lindholm, tha se ende po vazhdojnë bisedimet lidhur me këtë, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet vetë subjekteve politike, prandaj ende nuk është vendosur nëse do të votohet me lista të hapura apo me lista të mbyllura.
“Ne po përpiqemi të gjejmë një sistem të qëndrueshëm dhe ne do të pajtohemi me cilindo sistem që njerëzit do ta zgjedhin për veten e tyre”, tha Sven Lindholm, sipas të cilit OSBE-ja do të respektojë marrëveshjen eventuale ndërmjet vetë subjekteve politike në Kosovë. Ajo që dihet me saktësi është se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të udhëhequra tërësisht nga institucionet vendore, tha Lindholm.
“Praktikisht zgjedhjet e kaluara i ka udhëhequr Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prandaj do të jetë i ngarkuar me zgjedhjet prapë, ndërsa ne do të jemi këtu për të ndihmuar”, tha Lindholm, sipas të cilit ky është një proces i tërësishëm i dorëzimit të kompetencave, kështu që institucionet vendore, përkatësisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të udhëheqë tërësisht procesin e zgjedhjeve. Deri më tash në Kosovë janë mbajtur dy palë zgjedhje parlamentare dhe po aq zgjedhje lokale.


XS
SM
MD
LG