Ndërlidhjet

HYSAJ:"SKENËS POLITIKE TË KOSOVËS I MUNGON LIDERSHIPI AUTORITATIV"


Fadil HYSAJ, një nga themeluesit e LDK-së

RADIO EVROPA E LIRЁ
Zoti Hysaj, keni qenë një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit Rugova, nga ditët e para të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tani një vit pas vdekjes së presidentit Rugova, si e shihni skenën politike të Kosovës dhe posaçërisht zhvillimet që pasuan ndërkohë në Lidhjen Demokratike të Kosovës?

FADIL HYSAJ
Po e shoh mjaft të turbulluar dhe mendoj se kjo turbullirë një vit pas vdekjes së presidentit, tregon se periudha e sundimit të tij në skenën politike të Kosovës e sidomos në Lidhjen Demokratike, ka qenë e varur kryesisht nga figura emblematike e tij si lider. Dhe mungesa e tij, vetvetiu ka shkaktuar një vakuum dhe mungesë autoriteti në këtë parti që ka pasur pasojë pastaj edhe ndarjen në dy pjesë dhe rishfaqjen e nevojës për trashëgimi të autoritetit të munguar të presidentit Rugova. Në njëfarë mënyre, mendoj se kjo kohë, ndoshta dhe kohët që do të vijnë, do të ketë nevojë për një analizë tjetër të figurës historike të doktor Ibrahim Rugovës, si në planin politik edhe në planin historik. Mendoj se ajo lëvizje që është quajtur lëvizje paqësore dhe që shënon një epokë jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë së Kosovës, ndoshta ka nevojë të riformulohet dhe të drejtohet më tepër si lëvizje intelektuale. Ai ka qenë kryesisht një figurë intelektuale në lëvizjen politike, aq sa ka sjellë atë lloj fryme, në të njëjtën kohë ajo frymë pastaj është bërë edhe pengesë e zhvillimit në kuptimin historik të lëvizjes politike, sepse lëvizjet intelektuale i kanë limitet e tyre në përmasën e veprimit politik në kohëra të caktuara, sidomos në prag të luftërave dhe pas tyre. Sot LDK-së, faktikisht i mungon ky lloj autoriteti, kjo busullë, ky lloj koncepti intelektual sepse LDK-ja është ndërtuar në koncept intelektual, është ndërtuar si lëvizje intelektuale dhe në momentin që intelektualët e kanë braktisur dhe nuk janë më në LDK, në këtë aspekt do të thotë LDK-së dhe përgjithsisht skenës politike të Kosovës i mungon ky koncept, pa të cilin ajo nuk mund të zhvillohet shumë në mënyrë normale. Vetë nevoja që të trashëgohet figura politike e Rugovës, dhe këta dy krahët politikë që dëshirojnë ta përdorin apo edhe ta keqpërdorin figurën e tij, mendoj se tregon sa e mangët tash është LDK-ja dhe LD-ja. Pikërisht për këtë lloj koncepti dhe për këtë lloj figure, ne kemi nevojë për një qasje realiste shumë tokësore, njerëzit i shohim në përmasën e tyre njerëzore me të metat e virtytet që kanë pasur, por jo në këtë mënyrë, që në fillim të shekullit XXI ende krijojmë kulte, mite dhe nuk i trajtojmë njerëzit në konturat reale që ata i kanë pasur e që kanë të drejtë t’i kenë ende. Të mos krijojmë figura mitologjike në fillim të shekullit XXI sepse çdo trajtim mitik i një figure mendoj se dëmin më të madh ia bën vetë asaj figure.

RADIO EVROPA E LIRЁ
Ndërkohë vazhdimisht shtrohet çështja se sa i mungon skenës politike të Kosovës një personalitet siç ishte Ibrahim Rugova, sidomos në këtë fazë të definimit të statusit të Kosovës?

FADIL HYSAJ
Skenës politike të Kosovës i mungon lidership autoritativ edhe mungon një koncept reformues, një koncept i avancuar për një qeverisje autoritative, të ndërgjegjshme, të fuqishme në kuptimin profesional që din të bëjë atë që din, të ketë një vizion dhe din të krijojë program se si një vizion ta bëjë realitet. Do të thotë, politika e deklarimeve kombëtare të mëdha, politika e ndërtuar në autoritete shpesh autoritare, është tejkaluar në shumë plane dhe është anakronike, dhe është e dëmshme për nevojat e këtij vendi. Historia nuk mund t’i falë njerëzit që kanë pasur mandat në periudha të caktuara të bëjnë atë që është pritur prej tyre dhe nuk e kanë bërë, ose e kanë bërë përgjysëm apo e kanë bërë keq. Nëse do të ketë amnesti politike për disa njerëz, nuk do të ketë amnesti historike.

RADIO EVROPA E LIRЁ
Dhe për fund zoti Hysaj, si i shihni këto zhvillime që po ndodhin në Lidhjen Demokratike të Kosovës? Si reformim të partisë, siç e quan atë LDK-ja që ka mbetur edhe pas Ibrahim Rugovës apo e shihni këtë një shthurje të LDK-së, siç prezantohet në deklarata të ndryshme?

FADIL HYSAJ
Po LDK-ja është formuar si lëvizje intelektuale, ka pasur një masovizim gradual që është rritur në përmasa të një -kushtimisht ta quaj mos të ketë keqkuptime- dinosauri politik, i cili ka përfshirë krejt Kosovën dhe të gjitha viset shqiptare, dhe pastaj ka filluar të jetë rob i një rutine e disa punëve të cilat vetvetiu kanë qenë të pamjaftueshme dhe nuk kanë qenë në hap me historinë edhe me rrjedhat e ngjarjeve që kemi pasur në fund të viteve të 90-ta, gjatë luftës dhe pas luftës. Në të njëjtën kohë mendoj se, sikurse tash në këtë periudhë, sikurse edhe në atë që ka qenë para luftës, kërkohet një dinamikë dhe një fuqi më e madhe vepruese. LDK-ja nuk e ka pasur atë aftësi, as kur ka qenë vërtet e fuqishme si parti, tash aq më pak. Në këtë plan do të thotë, unë këtë shthurje apo coptëzim të LDK-së e shoh një lloj bumerangu historik, po në të njëjtën kohë e shoh si mundësi të reformimit rrënjësor të kësaj partie. Ajo po bjen në përmasën reale kur mund të kryejë veprime të cilat afërsisht do t’i përngjajnë përmasës që ka kryesisht. Në këtë aspekt LDK-ja ka gjasa të mëdha që të reformohet dhe të bëhet parti moderne dhe të përgatitet, ta përgatisë edhe opinionin publik edhe anëtarësinë që ndoshta është mirë, e dobishme që një mandat ta kalojë në opozitë. Kalimi i një mandati në opozitë është kohë për ristrukturim, kohë për modernizim të partisë, kohë që të merret kryesisht me vetveten, edhe shkarkohet prej detyrimeve të qeverisjes në kohë kur vërtet ka treguar që nuk ka dhënë ndonjë rezultat të një qeverisjeje të mirë.

INTERVISTOI: Zijadin GASHI
XS
SM
MD
LG