Ndërlidhjet

STRASBOURG


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, tha se në 2 shkurt do t'i paraqesë Prishtinës dhe Beogradit propozimin e tij për statusin e Kosovës, dhe se zgjidhja do të mundësojë jetë dinjitoze për të gjithë banorët.
"Propozimi im për zgjidhjen do të jetë i drejtë dhe i balancuar", i tha Ahtisaari Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, duke shtuar se propozimi i tij parasheh prani të fuqishme civile dhe ushtarake ndërkombëtare.
"Propozimi im fokusohet fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ai fron baza për një Kosovë demokratike dhe shumëetnike, në të cilën të drejtat dhe interesat e të gjitha bashkësive do të mbrohen dhe garantohen nga institucionet e mbështetura në sundimin e ligjit", tha Ahtisaari.
"Ideja ime është që t'i angazhoj të dyja palët në një proces konsultativ, të shoh nëse kanë ndonjë ide të re. Por unë nuk do t'i rinegocioj gjërat që tashmë janë diskutuar. Pas kësaj periudhe, do ta finalizoj raportin tim dhe do t'ia paraqes Këshillit të Sigurimit, ku aktualisht do të fillojë loja e fundit e vërtetë e këtij procesi", tha Ahtisaari.
Duke theksuar se prej vitit 1999, Këshilli i Evropës ka rol të rëndësishëm në Kosovë, ai tha se organizata edhe më tej do të ketë rol të madh në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në Këshillin e Evropës sot vazhduan diskutimet mbi projekt-rezolutën për Kosovën, në të cilën vlerësohet se pavarësia e kushtëzuar është zgjidhja që ofron më së shumti gjasa për paqe dhe stabilitet afatgjatë në Kosovë dhe rajon.
XS
SM
MD
LG