Ndërlidhjet

POND:"TUNDIMI I MOSKËS DO TË JETË I MADH"


Elizabeth POND, autore e librit "Fundi i lojës në Ballkan"

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pond, i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, pritet që në ditët e ardhshme ta prezantojë pakon për statusin e Kosovës. Pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat përfunduan me fitoren e forcave radikale, si mendoni se do të zhvillohet ky proces?

ELIZABETH POND
Fillimisht, nuk do të thoja se zgjedhjet në Serbi ishin fitore e forcave radikale, meqë dinamika është pak më ndryshe. Ajo çfarë ka ndodhur është se radikalët kanë arritur ta ruajnë pozicionin e tyre, por në bllokun demokratik, Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq është tanimë 6 për qind përpara Partisë Demokratike të Serbisë, e udhëhequr nga kryeministri Vojisllav Koshtunica. Dhe ky fakt i ndryshon raportet. Është e vërtetë së kryeministri Koshtunica është ai që aktualisht e ka fuqinë në bërjen e qeverisë, meqë në aspektin matematikor, ai mund të formojë shumicën në Parlament me radikalët ose me partitë tjera të bllokut demokratik. Në cilindo rast, dora e zotit Tadiq është e sforcuar dhe ai tashmë ka dhënë shenja të paktën, se është më i gatshëm të pranojë të pashmangshmen, pavarësinë e mbikqyrur apo të kushtëzuar për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë e prisni nga pakoja e zotit Ahtisaari?

ELIZABETH POND
Po, vërtetë. Për një gjë të këtillë janë dhënë shenja muaj më parë dhe kjo është ajo që do të ndodhë me siguri. Do të jetë një pako në të cilën Bashkimi Evropian, në një formë të caktuar, do të marrë përsipër mbikqyrjen nga administrata e Kombeve të Bashkuara, e cila e ka bërë një gjë të këtillë në shtatë vitet e fundit. Detajet ende nuk i dimë, por drejtimi i këtij procesi është i qartë. Edhe çështjet kyçe që kanë të bëjnë me sigurinë për shembull do të mbeten përgjegjësi e forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe administratës së ardhshme të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke folur për përmbajtjen e pakos mbi statusin, gazeta “Wall Street Journal” ka shkruar se “duke marrë edhe më tepër në konsideratë ankesat e vazhdueshme të Serbisë, zoti Ahtisaari do të rekomandojë që litari përreth qafës së kosovarëve të jetë edhe më i shkurtër se ç'është pritur në fillim të bisedimeve vitin e kaluar”. Cfarë në fakt ka ndyshuar që prej atëherë?

ELIZABETH POND
Nuk jam e sigurtë nëse do të pajtohesha me këtë fjali. Ajo që ka ndryshuar është fakti se ka qenë një vit bisedimesh dhe askush nuk ka pritur që qoftë serbët apo shqiptarët në Kosovë t’i përmbushin kërkesat e tyre maksimale, me të cilat i filluan bisedimet. Zgjidhja për statusin ka qenë e sinjalizuar muaj më parë dhe në këtë kuadër nuk paraqet ndonjë befasi. Ajo që ndodhi ka të bëjë me faktin se serbët nuk kanë lëvizur fare gjatë bisedimeve dhe janë përgjigjur vazhdimisht me “jo”. Çuditërisht u është lënë në duar shqiptarëve të Kosovës që të ofrojnë propozime për të cilat mendohej se Beogradi do të thoshte se kishte nevojë, siç është mbrojtja e pakicës serbe, mbrojtja e objekteve të Kishës Orthodokse Serbe, vetëqeverisja në nivel komunal, që do t’i mundësojë lokacionet e banuara me serbë, sikurse edhe ato të banuara me shqiptarë, të kenë më shumë fuqi në qeverisje. Prandaj, mendoj se gjithë kjo nuk është aspak e befasishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse statusi do të ketë një emër apo do të jetë një çështje e hapur për interpretime të ndryshme. Çfarë mund të jetë ndikimi i një paqartësie të këtillë?

ELIZABETH POND
Muajt e fundit nuk kam qenë në Kosovë, prandaj nuk e di saktësisht se çfarë do të jetë reagimi. Se a do të ketë ndonjë konfrontim politik në Kosovë ka të bëjë pikërisht mbi këtë pyetje. Disa mund të thonë se ekziston substanca e pavarësisë dhe niveli i sovranitetit nuk ka rëndësi, sepse do të vijë dhe kjo është mënyra e vetme për t’u bërë gati për të, pa pasur nevojë për gjakderdhje. Të tjerët mund të thonë se vetëm pavarësia dhe njohja e Kosovës nga vendet tjera si shtet i pavarur nuk mjafton dhe se duhet pasur sovranitet të plotë. Mendoj se pikërisht ky do të jetë debati që do të pasojë në muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, diskutimet së fundi janë përqëndruar në rolin që Rusia ka dhe do të ketë në Këshillin e Sigurimit, zyrtarët në Beograd padyshim janë duke llogaritur që Moska ta shfrytëzojë veton e saj. A do ta bëjë këtë Moska?

ELIZABETH POND
Ajo që ka thënë zoti Putin, ose të paktën ka dhënë shenja për diçka të këtillë, është se Moska do të shfrytëzojë veton ndaj cilitdo propozim me të cilin serbët nuk pajtohen. Pra, në njërën anë, nëse arrihet qoftë edhe ndonjë pranim pasiv në Beograd - nga qeveria e re ose nga qeveria në krijim – atëherë nuk mendoj se Rusia do të shfrytëzojë veton. Në këtë kuptim, sa i përket Moskës, janë dy çështje. E para ka të bëjë me ndjenjën e zotit Putin se Rusia tani ka mundësinë që të ketë më shumë ndikim në zhvillimet në botë se që ka pasur në 15 vitet e fundit dhe me këtë ai dëshiron t’i tregojë muskujt. Çështja e dytë ndërkaq ka të bëjë me synimin e Rusisë që të shfrytëzojë pavarësinë e Kosovës si precedent për rajonet tjera në shkëputje, siç është për shembull Transnistria në Moldavi. Ajo që dua të them është se në fund të fundit, nëse komuniteti ndërkombëtar, serbët dhe kosovarët arrijnë një marrëveshje, rusët nuk mund të thonë jo. Dhe nëse një gjë e këtillë nuk arrihet, tundimi mendoj se do të jetë shumë i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe kur mendoni se ky proces i çështjes së Kosovës do të përmbyllet?

ELIZABETH POND
Mendoj se duhet të ndodhë shumë shpejtë. Nuk mendoj se mund të shtyhet edhe më shumë pa pasur rrezik të shpërthimit të dhunës në Kosovë. Dhe mendoj se ky është një shqetësim dhe presion i madh të cilin komuniteti ndërkombëtar e ndjen aktualisht.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG