Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT TË BINDUR SE AHTISAARI DO TË PROPOZOJË SUBSTANCËN E SHTETIT TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të Qeverisë dhe të opozitës në Kosovë janë të bindur se propozimi i zotit Ahtisaari do të ofrojë substancën për shtetin e Kosovës dhe se nuk do të ketë shtyrje të mëtejshme të procesit. Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, pas një takimi me shefat e zyrave të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit, tha se pakoja e Ahtisaarit mund të mos jetë krejt siç e dëshirojnë qytetarët e Kosovës, por do të jetë e pranueshme. Ndërkohë, ai shfaqi bindjen se nuk ka asnjë arsye për shtyrje.
“Nuk ka asnjë arsye për shtyrje të procesit. Procesi është në rrugë të mbarë, e ka dinamikën e paraparë. Presim që Ahtisaari të sigurojë se do ta finalizojë këtë proces ashtu siç e ka paraparë, dhe shumë shpejt të kemi qartësinë më se të nevojshme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të definohet statusi i Kosovës sa më shpejt“, tha Çeku.
Kryeministri Agim Çeku, i cili u takua me përfaqësuesit e zyrave diplomatike në Prishtinë, bëri thirrje që t’u iket spekulimeve për pakon e Ahtisaarit sepse, sipas tij, vizita e tij më 2 shkurt do t’i qartësojë gjërat.
“Ne mbesim me besim të plotë që pakoja e tij do të jetë pozitive dhe do ta reflektojë vullnetin e popullit të Kosovës. Nuk kemi dyshime se do të ketë edhe elemente që janë jo aq të dëshirueshme, nuk do të jetë e tëra ajo që dëshirojmë, por do të jetë një pako e pranueshme për qytetarët e Kosovës”, theksoi Çeku.
Ndërkaq, duke folur në emër të shefave të zyrave të Grupit të Kontaktit, shefi i zyrës gjermane në Prishtinë, Eugen Volfarth i lavdëroi institucionet e Kosovës për punën që kanë bërë gjatë muajve të fundit.
“Ka pasur përparim, prioritetet janë identifikuar; dhe kjo është bazë e mirë për të punuar në muajt dhe vitet e ardhshme. Mund të them se institucionet e Kosovës janë në rrugën e duhur”, pohoi diplomati gjerman.
Sipas diplomatit gjerman, Kosovës në këtë fazë i duhet stabiliteti dhe kështu duhet të vazhdohet edhe pas publikimit të pakos për statusin nga ana e kryenegociatorit Martti Ahtisaari.
Në anën tjetër, edhe lideri i partisë më të madhe opozitare, zoti Hashim Thaçi shprehu bindjen se pakoja e Ahtisaarit do të ofrojë substancën e shtetit të Kosovës.
“Pakoja e Ahtisaarit do të jetë në përputhshmëri me realitetin kosovar, ndërsa vendimi për statusin politik, kam besim të plotë dhe jam i bindur se do të jetë në përputhshmëri të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për pavarësi. Pakoja sjell substancën e shtetit të Kosovës, pastaj vazhdon procesi konsultativ-procedural për nxjerrjen e vendimit për shtet të pavarur dhe sovran”, tha Thaçi.
Çlirimi i Kosovës është arritur në partneritet me ndërkombëtarët, tha zoti Thaçi, sipas të cilit edhe pavarësia nuk arrihet duke atakuar apo sulmuar as Evropën dhe as Uashingtonin, siç bëjnë të tjerët, por përmes thellimit të partneritetit bashkë me ndërkombëtarët për ndërtimin e shtetit.
XS
SM
MD
LG