Ndërlidhjet

IVANOVIQ:”BEOGRADI S’MUND TË NDIKOJË MBI ORARIN E AHTISAARIT”


Rrahman Paçarizi

Bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, ka kritikuar sot qëndrimin e kryeministrit aktual të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, për të mos pritur kryenegociatorin për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari, i cili të premten pritet ta dorëzojë në Prishtinë dhe në Beograd dokumentin e tij. Ivanoviq tha se pajtohet që kjo çështje mund të presë edhe pak, deri në formimin e Qeverisë së re të Serbisë, mirëpo, orari dhe agjenda e Ahtisaarit është diçka mbi të cilën nuk mund të ndikojë Beogradi.
“Nuk duhet harxhuar energji e kotë mbi faktin nëse Ahtisaari po vjen herët apo jo, por ai duhet të pritet, të merret dokumenti dhe të shqyrtohet me kujdes”, tha Ivanoviq, sipas të cilit të gjitha forcat politike dhe institucionet e Serbisë duhet të merren seriozisht me dokumentin e Ahtisaarit dhe të përpiqen të gjejnë përgjigjen e duhur ndaj tij.
“Pavarësisht se Qeverisë i ka skaduar mandati, pavarësisht se kjo Qeveri e pakicës edhe sa funksiononte ishte e dobët, ajo ka përgjegjësinë për të përmbushur mandatin, deri sa nuk ia dorëzon atë Qeverisë së re”, tha Ivanoviq, sipas të cilit, tani është koha që e gjithë Serbia ta kuptojë rëndësinë e asaj se si do të duket Qeveria e re e Serbisë.
Në anën tjetër, zyrtarë të policisë në Kosovë kanë thënë se janë tërësisht të përgatitur për çfarëdo sfide të sigurisë në ditën e ardhjes së Ahtisaarit në Kosovë dhe në ditët e ardhshme. Zëdhënësi rajonal i policisë së UNMIK-ut në Mitrovicë, Larry Miller tha se Shërbimi Policor i Kosovës dhe policia ndërkombëtare janë të përgatitura.
“Policia e UNMIK-ut dhe SHPK-ja janë të përgatitura për çfarëdo eventualiteti që mund të paraqitet në ditët apo javët e ardhshme”, tha Larry Miller.
Ndërkaq, zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut në Prishtinë, Thomas Lee, tha se policia ndërkombëtare dhe policia e Kosovës e kanë përgatitur planin operativ nën shifrën “Dhelpra e blinduar”, që parasheh përforcimin e masave të sigurisë pas shpalljes së planit të Ahtisaarit.
“Nuk presim kurrfarë problemesh gjatë vizitës së Ahtisaarit që është planifikuar për 2 shkurt, dhe nuk kemi informacione se do të ketë probleme”, tha zëdhënësi Lee.
Ditët e fundit janë rritur shqetësimet e sigurisë, pasi organizata të ndryshme kanë paralajmëruar protesta lidhur me planin e Ahtisaarit dhe procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Zyrtarët e policisë dhe të KFOR-it kanë shtuar masat e sigurisë edhe në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.


XS
SM
MD
LG