Ndërlidhjet

ISSR:”PAS FORMIMIT TË USHTRISË, TMK-JA TË SHPËRBËHET”


Albana Isufi

Kosova duhet të këtë Ministrinë e Mbrojtjes dhe forcat e armatosura, ka rekomanduar Sektori për Rishikimin e Sigurisë së Brendshme (ISSR), pas një pune njëvjeçare të përpilimit të raportit mbi sfidat e sigurisë dhe krijimin e arkitekturës së ardhshme të sigurisë në Kosovë.
“Rekomandimi ynë është se derisa të formohet forca e re, parashohim që pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës të transferohen në Forcat e ardhshme Mbrojtëse të Kosovës. Fillimisht, do të jenë dy organizata të ndara, por me siguri nën një komandë. Pasi që Forcat Mbrojtëse të bëhen ushtri profesionale, TMK-ja eventualisht do të shpërbëhet. Dhe ata anëtarë të TMK-së që nuk i bashkohen FMK-së, që nuk duan, apo nuk kanë aftësitë e duhura për një ushtri profesionale, ata do të ndihmohen në forma të ndryshme për të gjetur punë të tjera, apo nëse janë në moshë, të marrin pensione”, tha kreu i ekipit të ISSR-së, Michael Page.
ISSR-ja po ashtu ka rekomanduar edhe struktura të tjera të sigurisë, që do të vepronin nën Këshillin e Sigurisë së Kosovës. Sikurse edhe herët e kaluara, ISSR-ja përsëri ka konkluduar se kërcënim kryesor për sigurinë në Kosovë, është papunësia dhe varfëria.
“Gjetjet kryesore janë se kërcënimet kryesore për sigurinë e popullit të Kosovës janë ato që lidhen me ekonominë, varfërinë, më shumë sesa kërcëniemt tradicionale që i kemi pritur në fillim. Por, edhe ato kërcënime që i kemi pritur në fillim i kanë rrënjët në varfëri. Veprimet kriminale janë të lidhura me pasigurinë financiare”, tha Michael Page, duke shtuar se kërcënimet e sigurisë nga jashtë janë më të vogla sesa ato të brendshme.
Në raport është theksuar se tensionet etnike janë të pranishme ende ne tri komunat serbe në veri të Kosovës, përderisa raportet me Serbinë, sipas ISSR-së do të varen shumë nga rezultati i negociatave për statusin final. ISSR-ja rekomandon qëndrimin e metëjm të KFOR-it si faktor jetik për sigurinë e brendshme dhe të jashtme të Kosovës. Raporti pritet të implementohet nga institucionet e Kosovës. Këshilltari i kryeministrit, Ramë Arifaj ka mirëpritur këtë raport.
“Rekomandimet janë realiste dhe në përputhje me atë që i nevojitet Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Arifaj.
Ndërsa, koordinatori i Misionit të Kombeve të Bashkuara për TMK-në, Chris Stern ka thënë se TMK-ja e ka pritur me ndjenja të përziera rekomandimin për shpërbërjen e mundshme të këtyre trupave.
“Ndjenja brenda TMK-së është shokuese, por jo në masë të madhe, pasi që ky është institucion i mirë dhe ka punuar shumë në procesin e standardeve. Pjesëtarët e saj kanë kontribuar shumë për Kosovën”, tha Stern.
Ndryshe, ISSR-ja ka kërkuar që urgjentisht të aprovohet një ligj mbi Shërbimin Policor të Kosovës, pasi që ky institucion vepron me rregullore që ka për bazë Rezolutën 1244. Me shfuqizimin e kësaj rezolute, SHPK-ja mund të mos ketë bazë ligjore për të vepruar. ISSR-ja po ashtu ka rekomanduar shpërbërjen e shërbimeve sekrete të partive politike dhe formimin e një shërbimi të tillë apolitik, që do t’u përgjigjej institucioneve të sigurisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG