Ndërlidhjet

AUTORITETET BËJNË THIRRJE KUNDËR DHUNËS


Zijadin Gashi

Forca shumëkombëshe ushtarake e KFOR-it si dhe policia vendore e ndërkombëtare i kanë siguruar sot qytetarët e Kosovës se gjendja e sigurisë do të mbahet nën kontrollë, pavarësisht pakënaqësive eventuale të individëve apo grupeve të caktuara të njerëzve me pakon e Ahtisaarit për statusin. Në një takim të përbashkët, të zhvilluar sot ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, komandantit të KFOR-it, Roland Kater dhe komisionarit të policisë ndërkombëtare, Stiven Kurtis, me krerët e komunave të Kosovës, është thënë se organet e rendit dhe sigurisë janë të gatshme të përballen me të gjitha situatat e mundshme gjatë kohës së prezantimit të pakos për statusin. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha se pavarësisht faktit që pakoja e Ahtisaarit ende nuk i është dorëzuar Prishtinës, ajo do të jetë e pranueshme dhe do t’i hapë rrugën pavarësisë së Kosovës. Çeku tha se mund të ketë pakënaqësi, çka është e natyrshme, por institucionet dhe organet e rendit nuk do të tolerojnë përdorimin eventual të dhunës.
“Jemi të vetëdijshëm se propozimi i Ahtisaarit mund të zgjojë reagime qoftë individuale, grupore apo etnike. Ne nuk e mohojmë të drejtën e qytetarëve të shprehin mendimin e vet apo edhe të protestojnë, por konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye për të kërcënuar me dhunë apo për të përdorur dhunë në Kosovë”, tha kryeministri Çeku.
Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, Roland Kater tha se tash për tash nuk ka ndonjë indikacion që tregon se mund të ketë destabilizim të gjendjes së sigurisë, por ai u dërgoi mesazhe të gjithëve që duan eventualisht që pakënaqësitë e tyre t’i manifestojnë në forma të dhunshme, që as mos të provojnë se NATO-ja dhe KFOR-i do t’u dalë në rrugë atyre.
“Mendoj se njerëzit do t’i kuptojnë mesazhet e Ahtisaarit. Nëse situata vazhdon të jetë ashtu si është, nuk do të ketë nevojë për shtimin e masave të sigurisë, por nëse do të ketë tentime të tjera dhe dhunë, ne u themi atyre, as mos provoni, ne jemi këtu”, tha komandanti i KFOR-it, Roland Kater.
Si pika më të ndjeshme që mund të konsiderohen si kërcënim për sigurinë, sipas kryeministrit të Kosovës, janë pjesa veriore e Kosovës si dhe ato komuna të cilat do të përfshihen në procesin e decentralizimit.
“Në radhë të parë komuniteti serb duhet të bindet se pavarësia e Kosovës nuk do të sjellë asgjë të keqe për komunitetet, përkundrazi propozimi i Ahtisaarit do t’u heqë atyre çfarëdo argumenti që ata mund ta kenë për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe bashkëjetesën me të tjerët në Kosovë”, pohoi Çeku.
Kryetarët e komunave kanë marrë edhe zotimet e komisionarit të policisë së UNMIK-ut, Stiven Kurtis, se policia do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar qetësi dhe siguri për të gjithë.
“Jemi të kënaqur me gjendjen aktuale, por jemi edhe të përgatitur që së bashku me lidershipin e këtushëm të ballafaqohemi me çdo situatë të mundshme”, tha Kurtis.
Ndërsa siguria është diskutuar me kryetarët e komunave të cilët, u tha se duhet të bartin barrën kryesore pasi që janë në kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët, prania e ardhshme ndërkombëtare civile në Kosovë është diskutuar në takimet që i dërguari i Havier Solanës, Torbjorn Sohlstrom, i zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe liderin e opozitës, Hashim Thaçi. Sohlstrom tha se pakoja e Ahtisaarit nuk do të ketë propozime për ndarjen e Kosovës në rajone e as në komunitete, por do të propozojë zgjidhje të zbatueshme në nivelin e Kosovës.
“Kur ne po planifikojmë angazhimet e ardhshme ndërkombëtare, nuk po planifikojmë ndarjen e Kosovës, përkundrazi, qëllimi i pranisë së ardhshme ndërkombëtare është që të mbajmë një Kosovë të bashkuar”, tha Sohlstrom.
Në anën tjetër, Hashim Thaçi tha se nuk pret diçka spektakulare nga pakoja e Ahtisaarit, por pret që kjo pako të jetë propozimi për pavarësinë e Kosovës.
“Po vijmë në momentin e finalizimit të përpjekjeve tona shekullore për nxjerrjen e vendimit botëror, për finalizimin e statusit të Kosovës. Prandaj, nuk do të jetë diçka e panjohur, diçka e pazakonshme, do të jetë diçka krejt normale për ndërtimin e shtetit të ri. Kosova është e përgatitur dhe është unike në këtë drejtim”, tha Thaçi.
Pozita dhe opozita në Kosovë janë deklaruar tashmë, se lidhur me pakon e Ahtisaarit do të dalin me qëndrim unik, që do të manifestohet përmes deklarimeve të Ekipit Negociues.


XS
SM
MD
LG