Ndërlidhjet

NEGOCIATORËT THONË SE NUK KA INDIKACIONE PËR TRAZIRA


Rrahman Paçarizi

Ekipi Negociues i Kosovës bisedoi sot për strategjinë e sjelljes të premten, kur kryenegociatori Ahtisaari pritet ta sjellë në Prishtinë pakon e propozimit për statusin. Ekipi ka premtuar se do të jetë krejtësisht transparent me opinionin lidhur me përmbajtjen e pakos së Ahtisaarit, tha zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skënder Hyseni, pas takimit të fundit të këtij ekipi përpara se Ahtisaari ta dorëzojë zyrtarisht pakon e tij, që pritet të përmbajë konturat e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Zëdhënësi Hyseni tha se pala kosovare nuk e ka marrë ende zyrtarisht dokumentin dhe në këtë moment nuk mund të jepen komente për përmbajtjen e tij.
“E premtja nuk është larg, duhet të bëjmë ballë edhe 48 orë. Të jeni të sigurtë se është qëndrim unanim i gjithë Ekipit të Unitetit që transparenca të jetë totale dhe për këtë do të bindeni të premten. Ekipi i Unitetit nuk ka asnjë arsye e më së paku qëllim, që të fshehë diçka nga mediet e veta e përmes medieve nga qytetarët e vet”, tha Skënder Hyseni. Sipas tij, pas marrjes së pakos, Ekipi i Unitetit do ta shqyrtojë me seriozitetin më të madh përmbajtjen e saj dhe do të japë komentet e veta. Zoti Hyseni tha se Ekipi i Unitetit është i bindur që pakoja do t’i hapë rrugën zyrtarizimit të shtetit të Kosovës.
“Ka pajtim të plotë në Ekipin e Unitetit që pavarësia të zyrtarizohet edhe ka bindje në Ekip që kjo do të ndodhë. Por, kjo duhet të bëhet në pajtim dhe bashkëpunim me miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare të cilët janë edhe partnerët tanë kyçë në këtë proces“, theksoi Hyseni.
Duke komentuar thirrjet e shumta për qetësi që po bëhen ditët e fundit në Kosovë, hodhi poshtë mundësinë që të ketë farë indikacionesh për trazira apo prishje rendi.
“Nuk ka indikacione të tilla. Thirrjet për qetësi janë të natyrshme, pasi duhet pasur parasysh se jo vetëm qytetarët dhe institucionet e Kosovës dhe Ekipi i Unitetit, janë lojtarët kyçë në këtë proces. Ne duhet ta dimë se ka edhe palë të tjera jashtë Kosovës, ka njerëz në botë që mund të kenë interes që të destabilizohet Kosova dhe thirrjet për paqe e qetësi në momente të rëndësishme nuk bëjnë dëm. Ato nuk duhet të interpretohen si drojë se diçka do të ndodhë, përkundrazi”, tha Hyseni.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtari i Ekipit Negociues, Hashim Thaçi, ka takuar sot shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së, të cilët kanë paralajmëruar shprehje të formave të pakënaqësisë qytetare, në rast se propozimi i Ahtisaarit nuk do të përfillë vullnetin e popullit dhe, siç është thënë, vlerat e luftës së UÇK-së.



XS
SM
MD
LG