Ndërlidhjet

RREZIKU NGA MUNGESA E LIGJIT PËR POLICINË


Albana Isufi

Ekziston rreziku që Shërbimi Policor i Kosovës të mos ketë bazë ligjore për të vepruar pas shfuqizimit të Rezolutës 1244, po që se aprovimi i ligjit mbi policinë vazhdon të zvarritet. Kështu tërheq vërejtjen Ekipi për Rishikimin e Sektorit të Sigurisë së Brendshme, që në prag të paraqitjes së pakos së Ahtisaarit, ka publikuar rekomandimet për përmirësimin e sigurisë në Kosovë. Meqë, sipas ISSR-së, Rezoluta 1244 mund të shfuqizohet shpejt pas vendimit për statusin, SHPK-ja nuk do ketë bazë ligjore për funksionim.
“Aktualisht, baza ligjore e Shërbimit Policor të Kosovës bie mbi përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm dhe Rezolutën 1244. Kur Rezoluta 1244 nuk do jetë më valide, baza ligjore e SHPK-së më nuk do të ekzistojë”, thotë Michael Page nga ISSR-ja, i cili rekomandon që urgjentisht të miratohet ligji për policinë.
“Duhet urgjentisht të implementohet ligji mbi policinë. Është vitale që para se të shfuqizohet Rezoluta 1244, Kuvendi të miratojë ligjin për policinë”, thotë Page.
Projektligji për policinë ende nuk ka marrë formën finale. Drejtori i zyrës për informim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Bajram Mjeku, thotë se faza fillestare e këtij projektligji ka përfunduar, ndërsa si tërësi pritet që të aprovohet në muajin shkurt.
“Grupi i ngushtë i përbërë prej 7 ekspertësh, më 7 shkurt do të takohet me dy ekspertë të Këshillit të Evropës, të cilët do të japin komentet dhe këshillat e tyre, pasi draftin fillestar këta ekspertë veç e kanë në dorë. Pas vlerësimit dhe plotësimit, atëherë projektligji për policinë do të shkojë në procedurë qeveritare e pastaj edhe parlamentare”, tha Mjeku.
Njëri nga anëtarët e grupit punues për hartimin e këtij projektligji, njëherësh edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Agim Krasniqi, thotë se do të merret parasysh agjenda e shfuqizimit eventual të Rezolutës 1244, në bazë të së cilës vepron Shërbimi Policor i Kosovës.
“Nëse ne do ta kemi të njohur agjendën, atëherë me siguri se edhe ne do të jemi gati që t’i përmbahemi asaj agjende dhe shumë shpejt mund ta përfundojmë projektligjin dhe në një seancë parlamentare edhe ta aprovojmë atë në tërësi, dhe të jemi gati edhe për rezolutën e re që do ta aprovojë Këshilli i Sigurimit”, tha Krasniqi.
Pengesat e deritashme në hartimin e projektligjit për policinë, sipas Krasniqit, kanë qenë më shumë të natyrës subjektive.
“Pengesat kanë qenë më shumë të natyrës subjektive, ka pasur disa pauza të panevojshme, përndryshe, është punuar në këtë projektligj nga vera e kaluar. Por, me ato pauza ka ardhur deri te prolongimi deri tash, kështu që nuk kam ndonjë koment të veçantë pse ka ardhur deri aty”, tha Krasniqi.
Përfaqësuesit e Shërbimit Policor të Kosovës, thonë se tashmë një kohë të gjatë po presin miratimin e ligjit për policinë, për shkak se mungesa e tij shkakton zbrazësi në funksionimin e SHPK-së. Sidoqoftë, zëdhënësi i SHPK-së Veton Elshani, nuk mendon se do ketë vakuum ligjor po që se ligji nuk miratohet para shfuqizimit të Rezolutës 1244.
“Edhe në mungesë të ligjit për polici, ne veprojmë në bazë të rregullores së brendshme të SHPK-së. Ne dëshirojmë që kjo rregullore të zëvendësohet me ligj dhe të kemi bazë ligjore kur të veprojmë, sepse kështu kemi zbrazësi”, thotë Elshani.
Ndryshe, zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, thotë se për të mos krijuar boshllëk ligjor, është menduar periudha e tranzicionit, e cila ndër të tjera do merret edhe me çështje të legjislacionit.
“Nuk do të ketë vakuum ajo cka po kërkojmë, është një periudhë 3-6 mujore e tranzicionit pas rezolutës për statusin. Do të ketë kontinuitet dhe një tranzicion të butë dhe të efektshëm, nga aranzhimet e tashme në ato të ardhmet. Këto janë çështje detajesh me të cilat po merret grupi i veçantë për legjislacion në kuadër të Grupit Strategjik për Tranzicionin”, tha Singh.

XS
SM
MD
LG