Ndërlidhjet

SURROI:”PAKICAT DO TË NJOFTOHEN ME KOHË PËR PAKON E AHTISAARIT”


Rrahman Paçarizi

Pakoja e Ahtisaarit nuk ka nevojë të miratohet në Kuvendin e Kosovës, por Kuvendi duhet ta shpallë pavarësinë në momentin kur merret vendimi për këtë, tha sot udhëheqësi i Këshillit Konsultativ për komunitetet pakicë, Veton Surroi, pas një takimi të këtij këshilli, i cili vepron në kuadër të Ekipit Negociues të Kosovës. Zoti Surroi tha se Ekipi Negociues do të jetë krejtësisht transparent dhe deputetët e Kuvendit do të njoftohen lidhur me përmbajtjen e pakos me kohë, nga një raport i anëtarëve të Ekipit të Unitetit.
“Pakoja s’ka nevojë të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Në Kuvendin e Kosovës duhet të shpallet pavarësia, në momentin kur merret vendimi. Pakoja duhet të shqyrtohet përmes një raporti të cilin, besoj, anëtarët e Ekipit Negociues janë të gatshëm ta japin përpara Kuvendit”, theksoi Surroi. Ai tha po ashtu se edhe anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitetet Pakicë do të njoftohen me kohë me përmbajtjen e pakos së Martti Ahtisaarit, duke përfshirë edhe përfaqësues të komunitetit serb. Por, ai shprehu bindjen se nuk do të ketë befasi rreth çështjes së pakicave. ”Duhet ta analizojmë pakon. Fundi i fundit, pjesa që ka të bëjë me komunitetet pakicë, në masë të madhe është ndërtuar përmes dialogut tonë të brendshëm, kështu që shpresojmë të mos ketë befasi të asnjë natyre. Platforma, të cilën ne e kemi pasur në Vjenë ka qenë një platformë e dakorduar nga të gjitha komunitetet”, u shpreh Veton Surroi. Ai shtoi se kanë marrëdhënie të mira edhe me komunitetin serb, i cili në mbledhjen e sotme është përfaqësuar nga Rangjel Nojkiq dhe premtoi se edhe komunitetit serb do t’i jepet dokumenti për ta analizuar.
Përderisa zoti Nojkiq nuk është prononcuar, përfaqësues të pakicave joserbe në Këshillin Konsultativ tërhoqën vërejtje për forma të diskriminimit të tyre në raport me komunitetin serb. Përfaqësuesi i komunitetit egjiptas, Xhevdet Neziraj, tha se komuniteti serb gjatë gjithë kësaj periudhe ka pasur më shumë privilegje.
“Komuniteti egjiptas edhe një herë deklaron se Kosovën e konsideron atdhe të vetin dhe e dëshirojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Prandaj, nuk duhet të ketë privilegje për asnjë komunitet, por as për komunitetin serb”, tha zoti Neziraj.
Këshilli Konsultativ për Komunitete i ka bërë përgatitjet e nevojshme për të pritur pakon e Ahtisaarit dhe planifikimin e hapave të mëtutjeshëm, tha Surroi, sipas të cilit edhe anëtarë të komuniteteve pakicë do të marrin pjesë në komisionin për hartimin e Kushtetutës dhe të simboleve shtetërore.

XS
SM
MD
LG