Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR PAKON MBI STATUSIN E KOSOVËS



E përditshmja amerikane “The Washington Post” e ka ngritur dilemën nëse marrëveshja për statusin do të mund të arranzhohet pa ndonjë përplasje diplomatike apo madje edhe ushtarake midis Kosovës dhe Serbisë ende të infektuar nga nacionalizmi agresiv, apo edhe midis Perëndimit dhe Rusisë gjithnjë e më shumë problematike. Gazeta shkruan se administrata e zotit Bush është treguar e kujdeshme në optimizmin e saj se tranzicioni i kësaj çështjeje do të mund të zgjidhet në muajt e ardhshëm, por deri atëherë do të jetë e domosdoshme një diplomaci e mençur e Perëndimit dhe në fund mbase do të ketë nevojë edhe për një ndërhyrje vendimtare amerikane. Presidenti rus Vladimir Putin do të mund të nxisë krizë, duke vënë veton mbi rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën ose do të mund të pranonte rezolutën dhe në mënyrë cinike ta shfrytëzojë atë si precedent për të njohur pavarësinë e rajoneve në shkëputje në Gjorgji dhe Moldavi. Dhe pikërisht në këtë cështje, shkruan “The Washington Post”, është e domosdoshme vendosmëria amerikane. Administrata e zotit Bush deri më tash ka shmangur çdo mundësi për t’u përgjigjur në provokimet e shumta të Rusisë gjatë muajve të fundit, përfshirë këtu edhe faktin se Moska ka shitur projektilë në Iran. Nëse presidenti Putin vendos që të krijojë telashe mbi Kosovën, gazeta shkruan se Shtetet e Bashkuara duhet ose të godasin në të njejtën masë ose të braktisin aleatët që i kanë përkrahur kundër agresionit: shqiptarët në Kosovë apo qeverinë demokratike në Gjorgjisë. Administrata amerikane tani duhet ta bëjë të qartë se nuk do të jetë labile mbi këto çështje, shkruan “The Washington Post”. E përdtishmja tjetër “The Guardian” shkruan se marrëveshja e zotit Martti Ahtisaari e ka vënë Kosovën në rrugën drejt pavarësisë, duke i dhënë asaj attribute të shumta të sovranitetit. Gazeta shkruan se serbët e kanë humbur Kosovën para tetë vjetësh gjatë ndërhyrjes ajrore të NATO-s dhe në këtë kuadër citon një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian të ketë thënë se “Kosova është vënë në frigorifer për tetë vite me rradhë dhe tani ka ardhur që të nxirret prej andej”. Mirëpo, edhe kjo gazetë ngritë çështjen e vetos ruse mbi rezolutën e Këshillit të Sigurimit, e cila do të jetë e domosdoshme për të autorizuar misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe hollësitë tjera të marrëveshjes. Konsensusi në Këshillin e Sigurimit do ta çojë Kosovën drejt shpalljes së pavarësisë, të cilën pastaj Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do ta njhinin. Duke dhënë një skenar të mundshëm të zhvillimeve të ardhshme në këtë drejtim, gazeta shkruan se skenari i mbështetur nga Washingtoni dhe Brukseli e parasheh zotin Ahtisaari t’i ketë përfunduar bisedimet dhe ta ketë dërguar propozimin e tij në New York, ku rusët, megjithë hamendjet, në fund do ta përkrahin atë. Në qershor, Bashkimi Evropian dhe vendet e fuqishme industriale që përbëjnë formacionin G8 do të pajtoheshin mbi implementimin e makinerisë që do ta udhëheqë Kosovën deri në arritjen e pavarësisë së plotë. Por, para arritjes në këtë periudhë, çelësi është tek Rusia, shkruan gazeta. Dy nga çështjet më të nxehta, statusi i Kosovës dhe programi nuklear i Iranit do të jenë në tavolinën e Këshillit të Sigurimit në fund të muajit. Rusia është duke luajtur rëndë në të dyja çështjet, duke u kërcënuar me veto; amerikanët ndërkaq, shkruan “The Guardian” duke cituar zyrtarë evropianë, janë jashtëzakonisht të zemëruar me taktiktat aktuale të Moskës dhe do të mund të synojnë anashkalimin e Kombeve të Bashkuara në të dyja çështjet nëse Rusia refuzon të dorëzohet.
XS
SM
MD
LG