Ndërlidhjet

ME ZGJIDHJEN E STATUSIT FILLOJNË KËRKESAT PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMEVE SOCIALE


Nadie Ahmeti

Vlerësime nga më të ndryshmet flasin se kërcënim dhe sfidë kryesore përballë shoqërisë kosovare mbetet varfëria dhe papunësia. Drejtori i Institutit Ekonomik në Prishtinë, Musa Limani, tha se pas përfundimit të luftës, proceset ekonomike nuk kanë shkuar me një dinamikë pozitive të zhvillimit ekonomik. Por, të gjitha këto probleme qytetarët e Kosovës i kanë heshtur për shkak të moszgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, tha zoti Limani. Ai është i mendimit se me zgjidhjen e statusit, njerëzit do të kërkojnë edhe zgjidhjen e problemeve të tyre sociale. “Këtë problem tani për tani e ndal çështja e negociatave, përkatësisht çështja e problemit të pavarësisë së Kosovës. Pritet shumë shpejt që zoti Ahtisaari t’i japë bazën Këshillit të Sigurimit, që ata do ta aprovojnë rezolutën dhe format e pavarësisë së Kosovës”, tha zoti Limani. Në këtë kuadër, ai thotë se kjo do të jetë edhe një përgjegjësi tjetër e institucioneve vendore, të cilat, sipas tij, duhet të marrin masa shumë të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore për të shmangur ndonjë situatë të mundshme pakënaqësie. “Këtë mund ta bëjnë vetëm ata të cilët janë ekspertë dhe vetëm ata që mund të sjellin investime të drejtëpërdrejta. Kjo mund të bëhet në qoftë se bëjmë një politikë të drejtë kadrovike; t’i vëmë në krye të institucioneve ekspertët”, tha Limani.
Eksperti tjetër për çështje ekonomike, Ekrem Beqiri, pohon se institucioneve vendore tashmë i mbetet të punojnë më tepër për hapjen e vendeve të reja të punës. Ai tha se me definimin e statusit përfundimtar të Kosovës, Kosova do të ketë mundësi që të ketë qasje edhe në mekanizmat ndërkombëtarë financiarë dhe kjo pa dyshim, sipas tij, do të lehtësonte gjendjen aktuale. “Për këtë duhet zhvilluar ekonominë, për të zhvilluar ekonominë, duhen financa dhe ne nuk jemi në situatë për këtë. Por, presim që nëse zgjidhet statusi, atëherë do të kemi investime nga jashtë dhe mundësi për të hyrë në kredi. Çështjet nuk do të thotë se do të zgjidhen automatikisht, por mund të lehtësohen prej barrierave të mundshme për zhvillim”, theksoi Beqiri.
Sidoqoftë, ekonomistët janë të bindur se me zgjidhjen e statusit të Kosovës, edhe gjendja ekonomike dhe ajo sociale do të mund të rimëkëmben, ndoshta jo menjëherë, por të paktën do të hapen mundësitë për diçka të tillë.
XS
SM
MD
LG