Ndërlidhjet

PRISHTINA I THOTË "PO" TAKIMIT TË 13 SHKURTIT


Albana Isufi

Prishtina i është përgjigjur sot pozitivisht ftesës së emisarit për statusin, Martti Ahtisaarit, për takimin e 13 shkurtit në Vjenë, në të cilin pritet që palët të paraqesin vërejtjet apo komentet rreth dokumentit për statusin. Zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skënder Hyseni, i tha radios Evropa e Lirë, se presidenti Sejdiu i ka dërguar një shkresë kryenegociatorit Ahtisaari me përgjigjen pozitive për takimin.
“Presidenti Sejdiu sot me një shkresë i është përgjigjur pozitivisht presidentit Ahtisaari. Reketat e Kosovës për secilën temë veç e veç do të jenë gati të angazhohen në ato që presidenti Ahtisaari po i quan konsultime të mëtejme rreth draftit final që do të shkojë në Këshillin e Sigurimit”, tha Hyseni.
Njëri nga zëdhënësit e UNOSEK-ut, Remi Dourlot, thotë se ende nuk ka përgjigje nga Beogradi për takimin, forma e të cilit ende nuk dihet. Sipas Dourlot, forma e këtij takimi dhe takimeve të tjera që mund të mbahen deri në fund të muajit, do të varen nga kërkesat dhe rekomandimet e palëve. “Ajo që mund të them në këtë fazë fillestare është se ekspertët gjatë kësaj jave do të jenë të gatshëm që të marrin komentet nga palët, të ofrojnë qartësime e mandej më 13 shkurt, i kemi ftuar të dyja palët që të vijnë në Vjenë për një seri bisedimesh për propozimin për statusin. Së pari do të shohim se kush do të vijë e mandej do të shohim se si t’i organizojmë këto diskutime, por ne jemi të përgatitur që të organizojmë bisedime ballë për ballë në mes të dyja palëve”, tha Dourlot. Beogradi fillimisht ka mohuar pakon e Ahtisaarit duke e parë atë si një dokument që i hap rrugë pavarësisë së Kosovës. Ende nuk dihet nëse do të marrë pjesë në periudhën konsultative, para se Ahtisaari ta dorëzojë versionin final të dokumentit në Këshillin e Sigurimit. “Do të shohim, duhet të presim për një kohë, presim përgjigje nga Beogradi dhe nuk mund të spekulojmë rreth faktit nëse do të vijnë ose jo, le të shohim se çfarë reagimesh do vijnë nga atje”, tha Dourlot.
Ndërkohë, pala kosovare thotë se do t’i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese të UNOSEK-ut, madje edhe nëse kërkohet takim i drejtëpërdrejtë me Beogradin. Edhe pse, siç thotë zëdhënësi i Ekipit Negociator, Skënder Hyseni, mundësitë për marrëveshje mes bisedimeve direkte tashmë janë shterrur. “Kosova e ka shprehur qëndrimin e vet të qartë që është e gatshme dhe nuk heziton absolutisht që të angazhohet në çafrëdo procesi që presidenti Ahtisaari do të kërkojë. Do të thotë, i mbetet atij që të përcaktojë modalitetet e angazhimit të mëtejmë të palëve në këtë proces”, tha Hyseni.
Pala kosovare ka thënë se do të kërkojë ndryshimin e disa pikave në dokumentin për statusin. Dourlot nuk komenton se deri në çfarë mase do lejohen ndryshimet e tekstit. “Ne ende presim komentet. Çdogjë varet nga diskutimet. Nëse njëra palë vjen me komente konstruktive dhe tjetra pajtohet me to, ne do të jemi të gatshëm që të ndryshojmë disa gjëra. Por, se në çfarë mase do ketë ndryshime, do të varet nga palët”, tha Dourlot.
Kosovarët kanë vlerësuar se dokumenti gjithëpërfshirës i Ahtisaarit i hap rrugë pavarësisë së Kosovës. Dokumenti në fjalë nuk përmend qartë se çfarë do të jetë statusi i Kosovës, por ndër të tjera parasheh që Kosova të ketë Kushtetutën e vet, simbolet shtetërore, si dhe forcën e vet të sigurisë. Marrëveshja parasheh anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndërkaq përmban edhe dispozita të veçanta për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare nëpërmjet rrugëve institucionale dhe krijimin e komunave të banuara me shumicë serbe.



XS
SM
MD
LG