Ndërlidhjet

DONELLY:"PLANI I AHTISARIT PAVARËSON KOSOVËN"


Thomas DONNELLY, ekspert në Institutin Enterprise/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni planin për Kosovën të kryenegociatorit Marti Ahtisari?

THOMAS DONNELLY
Plani i Marti Ahtisarit parasheh pavarësi për Kosovën me mbikqyrje ndërkombëtare. Është krejt e sigurtë se i tërë procesi çon drejt pavarësisë së Kosovës. Mbështetja që javën e kaluar NATO i dha planit të Ahtisarit gjithashtu sinjalizon se epilog përfundimtar do të jetë pavarësia. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë interesa të theksuara edhe në vetë Serbinë, ku situata politike është relativisht jostabile dhe e paqartë, duke pasur parasysh suksesin e Partisë Radikale në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe vështirësitë rreth formimit të qeverisë së re. Perendimi druan se nacionalistët mund të "dridhin" sërish jo vetëm Serbinë, por edhe gjithë rajonin, duke mos përjashtuar madje edhe një luftë të re. Shi për këtë Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian u duhet një Serbi stabile dhe kështu duhet shpjeguar ndihmën për forcat demokratike, para së gjithash për Boris Tadiqin.
Kur bëhet fjalë për Kosovën vendet perendimore janë të prira që Kosova përfundimisht të pavarësohet dhe që kjo të përmendet në formë eksplicite në rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Kuptohet kjo nënkupton edhe obligimin e përmbushjes së së standardeve të caktuara, para së gjithash në planin e mbrojtjes së pakicave. Mendoj se edhe për Serbinë do të jetë më lehtë të pranoj pavarësinë e Kosovës, nëse ky do të jetë një vendim i bashkësisë ndërkombëtare i verifikuar në Kombet e Bashkuara, se sa nëse kjo çështje mbetet e padefinuar dhe pastaj shqiptarët shpallin pavarësinë. Në variantin e dytë epshet nacionaliste në Serbi do të ndizeshin më lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Apostrofuat pavarësinë e Kosovës. A do të thotë kjo edhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe institucionet tjera ndërkombëtare?

THOMAS DONNELLY
Mendoj se ky do të jetë një proces, veçanërish në rastin e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Gjithësesi do të ketë një formulim që nuk konteston pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se vendet perendimore do të arrijnë të bindin Rusinë që të mbështetë rezolutën e Këshillit të Sigurimit për pavarësinë e Kosovës. Moska aktualisht kundërshton këtë zgjidhje?

THOMAS DONNELLY
Nuk e di nëse Rusia do të shkoj aq largë në mbrojtje të interesave të Beogradit. Duhet përkujtuar se në vitin 1999, pikërisht Moska kishte bindur Millosheviqin për të pranuar disfatën. Duke pasur parasysh nevojën e ruajtjes së marrëdhënjeve të mira me Perendimin, mendoj se nuk ka shumë gjasa që Rusia t'i ofroj Serbisë më shumë se mbështetje retorike. Moska në një formë është duke e shfrytëzuar Kosovën që në garën e përgjithshme ndërmjet fuqive të mëdha të përfitoj koncesione në çështje tjera. Nuk dua të jem cinik, por nuk besoj se Rusisë i ka mbetur të interesat e Serbisë në Kosovë, ndërsa rrëfimi për afrinë mbi bazën e ortodoksisë dhe përkatësisë sllave është vetëm retorikë. Në këtë manovrim diplomatik Rusia më shumë llogaritë në nacionalistët dhe partinë e Koshtunicës, se sa në Tadiqin dhe forcat tjera pro perendimore. Në interesin e Serbisë është rimëkëmbja ekonomike e politike dhe përfshirja në integrimet ndërkombëtare. Preokupimi me Kosovën dhe mbështetja në Rusinë mund ta kthejnë prapa.

Intervistoi: D. SHTAVLJANIN

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG