Ndërlidhjet

MYNIH


Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel e ka mbështetur sot propozimin për shtyrjen e bisedimeve konsultative në Vjenë për pakon e kryenegociatorit Martti Ahtisaari.
"Humbja e kohës ka forcë shpërthyese", ka thënë Angela Merkel për të shtuar se "procesi është i vështirë".
Duke folur në konferencën ndërkombëtare të Mynihut kushtuar çështjeve të sigurisë, Angela Merkel, ka thënë se "Kosovës dhe Serbisë i duhet kohë për të qartësuar pozicionet e tyre".
"Megjithate kjo çështje nuk mund të zvarritet përgjithmonë", ka deklaruar kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel.
Në këtë takim sot ka folur edhe presidenti rus Vladimir Putin, i cili me këtë rast ka thënë se Moska nuk do të mbështesë asnjë zgjidhje për Kosovën, nëse ajo nuk është e pranueshme për të dy palët - serbët dhe shqiptarët.
"Kjo zgjidhje nuk duhet të imponohet, sepse do të kemi probleme nëse njëra palë në këtë proces të ndërlikuar ndihet e goditur", ka thënë presidenti Putin.
Ai me këtë rast i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perendimore se janë duke u përpjekur për të imponuar vullnetin e tyre në çështjet botërore .
Politikat amerikane në çështjet e sigurisë ndërkombëtare e kanë bërë botën më pak të sigurtë, ka thënë presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
XS
SM
MD
LG