Ndërlidhjet

KMDLNJ:”INSTITUCIONET NUK KANË QENË TË RREZIKUARA NGA PROTESTUESIT”


Zijadin Gashi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, ka vlerësuar se policia ndërkombëtare dhe ajo vendore jo vetëm që i kanë tejkaluar autorizimet dhe kanë përdorur dhunë të tepruar, por nga aspekti i të drejtave të njeriut, kanë shkaktuar krim ndaj protestuesve të djeshëm, duke lenë të lënduar për vdekje dy protestues. Sekretari i këtij Këshilli, Behxhet Shala, thotë se dhuna e tepruar është manifestuar qoftë me përdorimin e tepruar të gazit lotsjellës, e deri te përdorimi i plumbave të gomës. Si pasojë e kësaj dhune ndaj protestuesve, Shala thotë se, shikuar nga aspekti i të drejtave të njeriut, dje në Prishtinë në fakt ka ndodhur krim, dhe jo vetëm tejkalim i autorizimeve. “Nga aspekti i të drejtave të njeriut, këtu nuk mund të flitet për shkelje të drejtave të njeriut, këtu flitet për një krim, ngase policia e armatosur ka shtënë kundër protestuesve të paarmatosur”, thotë Shala. Arsyetimet e policisë se protestuesit po kërcënonin institucionet, sipas Shalës, janë të paqëndrueshme, pasi që protestuesit, shton ai, kishin vetëm disa metra larg Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve apo të Shërbimeve Publike, të cilat ishin të pambrojtura, por të cilat ata nuk i kanë sulmuar. “Kush ka qenë i pranishëm, ka parë se në fillim nuk ka pasur ndonjë mjet të dhunshëm në duart e protestuesve, por pastaj kur ka filluar rrëmuja e përgjithshme, secili është gjetur ashtu si ka mundur”, thekson Shala. Ai i kundërshton argumentet e prezantuara nga policia, se protestuesit kanë rrezikuar jetën e qytetarëve dhe pronën publike. Sipas tij, me një menaxhim më të mirë të gjendjes, nuk do të ndodhte ajo që dje ndodhi gjatë protestave rrugëve të Prishtinës. “Protestuesit nuk kanë rrezikuar asnjë polic e asnjë qytetar, siç deklaron Shërbimi Policor i Kosovës, dhe në anën tjetër nuk ka pasur qytetarë, aty ka pasur policë, gazetarë e aktivistë të të drejtave të njeriut, kurse qytetarët kanë qenë në anën tjetër të barrikadave. Ajo që deklaron SHPK-ja është shumë hipotetike”, thotë Shala.
Sekretari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala thotë se dhuna është e padiskutueshme, sikurse që përgjegjësia e institucioneve, sipas tij, do të duhej të ishte e padiskutueshme. Në emër të KMDLNJ-së, Behxhet Shala pohon se pas gjithë asaj që ndodhi dje, dikush duhet të përgjigjet dhe dikush duhet të japë dorëheqje. Shala ua ka parë për të madhe të gjitha institucioneve dhe partive politike që nuk e dënuan dhunën e policisë, por sipas tij, kërkojnë që fajtori të kërkohet vetëm te protestuesit. “Krimi nuk luftohet në këtë mënyrë, por krimi luftohet vetëm nëse tregohet saktë kush çka ka bërë. Dhe vetëm atëherë, mund të flasim për luftimin efikas të krimit”, thekson Shala. Sipas tij, pas zhvillimeve të djeshme të cilat përfunduan me bilanc tragjik, gjendja në Kosovë rrezikon të eskalojë. Ndërkohë që lidershipi i Kosovës, sipas tij, nuk po tregon aftësi të kontrollojë situatën dhe po jep sinjale se çdo mendim tjetër lidhur me zgjidhjen e statusit të Kosovës, do të ndëshkohet shumë ashpër.


XS
SM
MD
LG