Ndërlidhjet

UASHINGTON


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates tha se vendet anëtare të NATO-s duhet të punojnë në partneritet me Rusinë rreth çështjeve të Sigurisë.
Robert Gates, në konferencën për sigurinë në Mynih ka thënë se "një luftë e ftohtë ishte e mjaftueshme".
Gates ka thënë se fjalimi i djeshëm i Putinit i ka përkujtuar atij Luftën e Ftohtë dhe ka shtuar se edhe "Uashingtoni është i brengosur për disa politika të Rusisë që shkojnë kundër stabilitetit ndërkombtarë, siç është transferi i armëve dhe përpjekjet që burimet e energjisë të shfrytëzohen për qëllime politike". Gates i bëri këto komente një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin i akuzoi SHBA-të që sipas tij, po e bëjnë botën një vend më të rrezikshëm. Administrata e presidentit George Bush tha se është befasuar dhe është zhgënjyer njëkohsisht nga fjalimi i presidentit rus Vladimir Putin.
Ndërkohë zëdhënësi i presidentit Bush, për çështje të sigurisë Gordon Johndroe tha se "akuzat e Putinit janë të gabuara", ndërsa shtoi se "SHBA-të presin bashkëpunim të mëtejmë me Rusinë në fushat e rëndësishme për bashkësinë ndërkombtare".
Senatori i njohur amerikan i pranishëm në këtë konferencë, Joseph Liberman fjalimin e Putinit e ka cilësuar provokues dhe një çështje për të cilën duhet menduar gjatë.
Kritikave të Putinit drejtuar Shteteve të Bashkuara u është bashkuar edhe shefi i diplomacisë gjermane Frank Valter Steinmeier i cili në këtë konferencë sot ka thënë se "disa në SHBA tash po mësojnë se demokracia nuk mund të imponohet me forcë ushtarake".
Agjencia Reuter pohon se marrëdhëniet Perendim-Rusi janë vënë në një pikë kruciale, për shkak të mospajtimeve rreth ambicieve bërthamore të Iranit dhe statusit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG