Ndërlidhjet

MARTTI AHTISAARI NUK ËSHTË MAGJISTAR


“Kommersant”

Ambasadori amerikan Frank Wisner ka ripërsëritur qëndrimin e tij se “dokumenti mbi statusin e Kosovës është i shkëlqyeshëm, historik dhe i punuar në mënyrë profesionale”. Në intervistën dhënë të së përditshmes ruse “Kommersant”, zoti Wisner ka thënë se “nuk e di nwse në Evropë ka ndonjë rast të ngjashëm të mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare në shkallën që është ofruar për pakicën serbe në Kosovë”.
Duke mos dashur të paragjykojë statusin përfundimtar, zoti Wisner i ka thënë gazetës se në planin e Ahtisaarit nuk përmendet fare pavarësia apo ndonjë status tjetër dhe se kjo çështje i takon së ardhmes. “Ka mundësi që në fund të jetë pavarësi, por tash për tash ajo nuk është e përfshirë në planin e zotit Ahtisaari”, ka thënë i dërguari amerikan.
Gjatë vizitës në Moskë, ai ka thënë se është ngritur çështja e angazhimit të përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, atëherë kur zoti Ahtisaari e prezanton planin e tij para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Ne duhet të dërgojmë sinjale se fuqitë e mëdha botërore, përfshirë këtu edhe Rusinë, janë të gatshme të marrin vendime mbi situata krize dhe se kanë mjete efektive për ta bërë një gjë të këtillë”, i ka thënë gazetës zoti Wisner. Rusia insiston që Prishtina dhe Beogradi të pajtohen mbi planin dhe në këtë kuadër ambasadori amerikan ka thënë se “nëse marrëveshja nuk arrihet, zoti Ahtisaari nuk është magjistar, ai duhet atëherë ta japë mendimin e tij dhe ta publikojë vendimin për të cilin beson se do të jetë i drejtë”. Duke folur për pritjet mbi miratimin e rezolutës në Këshillin e Sigurimit, i dërguari amerikan ka thënë se është vështirë të përcaktohet koha e saktë, megjithatë zoti Wisner i ka thënë gazetës se nëse çdo gjë shkon mirë, zoti Ahtisaari do të mund ta prezantojë planin e tij para Këshillit të Sigurimit nga mesi i muajit mars dhe të hapë rrugën për miratimin e rezolutës. “Rusia, sikurse edhe çdo anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, gëzon fuqinë e vetos dhe këtu nuk ka diskutim, por meqë e kemi filluar procesin e Kosovës bashkërisht me Rusinë, do të ishte mirë edhe ta përmbyllim bashkë. Më mirë për ne dhe për rajonin në përgjithësi”, ka thënë zoti Wisner. Në fund, e përditshmja ruse “Kommersant” e ka ngritur edhe çështjen e precedentit të mundshëm të statusit të Kosovës në rajonet tjera dhe në këtë kuadër ambasadori amerikan ka ripërsëritur qëndrimin se situata në Kosovë është e veçantë, por edhe universale. “E veçantë në kuptimin se për dallim nga situatat tjera, gjendja në Kosovë është e rregulluar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit, ka prani të vazhdueshme ndërkombëtare si në aspektin civil, ashtu edhe në atë ushtarak. Dhe është universale, në kuptimin që kriza në Kosovë kërcënon stabilitetin dhe është përgjegjësi e fuqive botërore që ta zgjidhin atë”, ka thënë zoti Wisner.


XS
SM
MD
LG