Ndërlidhjet

BYRNES:"AHTISAARI DO TË KËRKOJË PAVARËSI PËR KOSOVËN"


Shon BYRNES, ish diplomat amerikan

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, si do t’i vlerësonit zhvillimet e fundit në Kosovë?

SHAUN BYRNES
Mendoj se ajo që ka ndodhur gjatë fundjavës është qartësisht shqetësuese, me vetë faktin se dy njerëz kanë vdekur dhe të tjerët janë në gjendje serioze. Siç ka thënë edhe vetë kryeministri Çeku, duke shpresuar se ata janë sakrificat e fundit për pavarësinë e Kosovës, edhe unë i bashkohem atij dhe të tjerëve që shpresojnë se këta dy të rinj do të jenë të fundit që vdesin për këtë synim. Në një kuptim më të gjerë, ajo që ka ndodhur të shtunën mbrëma, qartësisht do ta dëmtojë Kosovën në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Do të mund të zbehë gjithë punën që populli dhe lidershipi në Kosovë kanë bërë në vitet e fundit. Është shqetësuese edhe në kuptimin se prodhon municion për atë pjesë të komunitetit ndërkombëtar që thotë se Kosova nuk është ende e gatshme për pavarësinë. Nga pikëpamja ime, edhe më shqetësuese, është se ngjarjet e këtilla, kam frikë se do të mund të dëmtonin edhe më shumë marrëdhëniet midis popullatës vendore dhe UNMIK-ut e ndërkombëtarëve në Kosovë. Kjo është një brengë për ndërkombëtarët dhe njerëzit siç jam unë që vëzhgojnë Kosovën nga afër. Do t’i ftoja kosovarët që të bëjnë një hap prapa, ndërkombëtarët janë aty për të ndihmuar. Askush nuk është i përsosur, ka ndërkombëtarë që nuk kanë bërë punë të mirë apo madje edhe më keq. Por, ata janë aty për të ndihmuar dhe pjesa më e madhe e tyre është shumë e mirë dhe shumë e aftë. UNMIK-u do të largohet, këtu nuk duhet pasur asnjë dyshim dhe do të zëvendësohet me një mision më të vogël të BE-së, detyrat kryesore të të cilit do të jenë mbi çështjet ekonomike dhe sociale. Me fjalë të tjera, ky mision obligim parësor do të ketë përpjekjet për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve. Elementi tjetër negativ është se udhëheqësia kosovare nuk ka bërë punë të mirë për të shpjeguar se në ç’drejtim është duke shkuar Kosova dhe pakon e Ahtisaarit. Megjithatë, kam përshtypjen se popullata në Kosovë e ka pranuar gjerësisht këtë pako. Sinqerisht, jam shqetësuar edhe me atë që unë e quaj mungesë lidershipi në një periudhë kritike nga elita politike në Kosovë. Më vjen keq që e them këtë, sepse kam shumë miq në këtë grup. Me përjashtim të kryeministrit Çeku, mendoj se të tjerët nuk i kanë dalë ballë sfidës. Ç’është më e rëndësishmja, mendoj se kishte guximin që t’i vë në pikëpyetje pohimet e ndërkombëtarëve se sjellja e policisë ishte e duhur. Në çdo shoqëri evro-perëndimore, menjëherë do të ngriteshin pyetjet mbi sjelljen e policisë në rast se ka viktima, e aq më tepër nëse ka të vdekur, gjatë përleshjeve të këtij lloji. Megjithatë, ekziston edhe ana pozitive. Ngjarjet e së shtunës dërgojnë një mesazh të qartë tek QUINT-i, Grupi i Kontaktit dhe bashkësia ndërkombëtare se durimi i kosovarëve është i kufizuar. Vonesat e mëtejme janë të papranueshme dhe mund të jenë shumë të rrezikshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë një gjë të këtillë edhe më mirë, veçanërisht pas asaj që fatkeqësisht ka ndodhur të shtunën.

RADIO EVROPA E LIRË
Pakoja për statusin e prezantuar nga i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, nga shumëkush shihet si plan kompromisi. Ju si e shihni?

SHAUN BYRNES
Mendoj se i tillë është, është një plan kompromisi, por asgjë nuk është e përsosur. Megjithë defektet dhe të tilla ka, mendoj se ky plan është një dokument shumë, shumë i mirë. Përfaqëson një hap të madh, dhe më lejoni ta përsërisë edhe një herë, një hap të madh drejt pavarësisë. Defektet në dokument ndërkaq rjedhin nga dëshira e komunitetit ndërkombëtar për të siguruar që pakicat, pra serbët, romët dhe të tjerët, të kenë mbrojtje të fuqishme. Komuniteti ndërkombëtar dëshiron që Kosova të zhvillohet në një shoqëri të suksesshme shumëkombëshe. Së dyti, komuniteti ndërkombëtar thellësisht dëshiron që raportet midis Kosovës dhe Serbisë të zhvillohen në mënyrë pozitive dhe të jenë fqinjë të mirë. Prandaj, komuniteti ndërkombëtar ka hedhur hapin prapa dhe ka marrë në shqyrtim shqetësimet e Serbisë, veçanërisht në raport me serbët në Kosovë dhe kjo ka nxitur koncesionet që prezantohen si kompromise. Por, unë do t’i sugjeroja të gjithë ata që kanë shqetësime për pakon që të shikojnë se çfarë po thonë serbët në Beograd për të. Më lejoni të përfundoj duke thënë se Ahtisaari, kur ta prezantojë pakon e tij para Këshillit të Sigurimit në pranverë, do t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të mbështesë pavarësinë e Kosovës. Ai do ta bëjë një gjë të këtillë dhe për këtë jam 100% i sigurt.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Byrnes, pakoja është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Si do të ndikojë ky kundërshtim në zbatimin e zgjidhjes për Kosovën?

SHAUN BYRNES
Kjo është një pyetje shumë e vështirë, nuk e di. Megjithatë, më lejoni të përgjigjem duke përmendur faktorët që mund të përfshihen. Shumëçka do të varet nga fakti se cili faktor politik do të jetë në krye të udhëheqjes politike në Beograd. Nëse Tadiç vjen në krye, mendoj se ka më shumë gjasë për një zbatim të drejtë. Shumë do të varet edhe nga gatishmëria dhe vendosmëria e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht nga misioni i ardhshëm i BE-së, për ta zbatuar pakon, sidomos në veri të lumit Ibër. Dhe në fund, ç’është më e rëndësishmja, shumëçka do të varet nga sjellja e vetë shqiptarëve në Kosovë. Nëse ata vazhdojnë ta mbajnë derën hapur për serbët e Kosovës, nëse vazhdojnë t’i mirëpresin si pjesëtarë të shoqërisë dhe të trimërojnë pjesëmarrjen e tyre në institucione, me kohë mendoj se serbët do ta pranojnë këtë dhe gradualisht do të reintegrohen në shoqërinë kosovare. Por, sërish, është një pikëpyetje e madhe që ri varrur mbi këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky proces gjithashtu përballet me sfidën e vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Si e shihni ju këtë çështje?

SHAUN BYRNES
Edhe një pyetje e vështirë. Është një çështje shumë e ndërlikuar. Mendoj se çështja me rusët ka të bëjë më shumë me zhvillimet jashtë Kosovës. Sipas vlerësimit im, Moska synon të shfrytëzojë dobësinë aktuale të diplomacisë amerikane për shkak të zhvillimeve në Irak dhe për të fituar koncesione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në çështjet që kanë më shumë rëndësi për Moskën, përfshirë këtu Transnistrinë, Kavkazin, Kartën Energjetike me Evropën dhe mënyrën se si e trajtojnë fuqitë e mëdha Iranin dhe Korenë Veriore. Përshtypja ime është se Rusia nuk ka ndonjë interes shumë të madh në Ballkan, por nuk do të ishte e pakënaqur me ruajtjen e status-quosë, sepse në një situatë të Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do t’i kishin duart e lidhura. Mendoj se shumë do të varet nga gatishmëria e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës për t’u përballur me rusët. Por, në fund të fundit, Rusia, e cila ka bashkëpunuar siç duket në Grupin e Kontaktit, do të pajtohet me një formë kompromisi. Rusia nuk do të donte t’i dëmtonte raportet me fuqitë tjera që kanë rëndësi për të.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI

XS
SM
MD
LG