Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI-PJESA MË E NDJESHME E ZBATIMIT TË PAKOS


Rrahman Paçarizi

Decentralizimi dhe implikimet e sigurisë në të, janë ndër çështjet më të ndjeshme të fazës së implementimit të propozimit të Ahtisaarit, thonë ekspertët në Kosovë, sipas të cilëve, ndodh kështu meqë shqiptarët dhe serbët kanë koncepte të ndryshme ndaj këtij procesi. Arben Gashi, ekspert për decentralizimin në Institutin Riinvest, tha se në propozimin e Ahtisaarit hetohet asimetria, në kuptimin që komunave me shumicë serbe u lejohen më shumë kompetenca. “Një problematikë më e theksuar është ndjenja e pabarazisë dhe ndjenja që shfaqet në aspektin emocional, ku kemi një pabarazi e cila lidhet edhe me faktin, që një pjesë e atyre kompetencave janë ekskluzivisht për komunat me shumicë serbe”, thekson Gashi. Sipas tij, ekipi kosovar duhet të insistojë tash në mekanizmat ligjore të decentralizimit, të cilat janë vështirë të ndryshueshme, pasi kërkohet shumica e dyfishtë për ndryshimin e tyre, që është ndër pikat më problematike. “Pjesa e decentralizimit është vështirë e negociueshme dhe mendoj se ekipi kosovar e ka humbur betejën në këtë luftë, për pjesën e decentralizimit. Prandaj, duhet të insistohet në çështjet ligjore, sepse aty është çelësi i çdo gjëje”, thotë Gashi, duke shpjeguar që nëse arrihet një sistem i qëndrueshëm ligjor, pasojat do të jenë pozitive dhe më pas kjo çështje mund të rishikohet. Ndërkaq, për Ilir Dugollin, ekspert në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, KIPRED, befasia lidhur me decentralizimin nuk është vetë plani, por ajo befasi do të paraqitet në kuptimin që do të ketë përpjekje për të vepruar dhe për të pasur komunikim me institucionet qendrore, sa më pak që të jetë e mundur. “Serbët që nga fillimi e kanë kuptuar decentralizimin si diçka që sjell autonomi territoriale, dhe në këtë drejtim do të ketë sfida edhe për sigurinë. Pra, janë dy koncepte që ndeshen. Koncepti i kosovarëve për decentralizimin është si për një kafshore të hidhur që duhet të kapërdihet. Ndërsa, koncepti i serbëve për decentralizimin, si diçka që u mundëson sa më pak varësi apo edhe komunikim me institucionet qendrore të Kosovës”, shprehet Dugolli. Një problem tjetër është, sipas analistëve, vështirësia e shtrirjes së pushtetit qendror në komunat me shumicë serbe, sidomos në veri. Në këtë plan, Arben Gashi thotë se pushteti i autoriteteve qendrore të Kosovës, nuk është i shtrirë aktualisht në gjithë territorin, ndërkohë që plani i Ahtisaarit në njëfarë mase, krijon mekanizmat për të vënë komunikimin e pushtetit qendror me atë lokal, në rast se ekziston edhe vullneti i palës tjetër. Por për Gashin, element shqetësues është autorizimi që u jepet pushteteve lokale lidhur me emërimin e komandantëve lokalë të policisë. “Aty është një element i cili do të mund të keqpërdorej. Ndikimi i institucioneve komunale në skemën e sigurisë, e cila normalisht mendoj se do të duhej të ishte një skemë me organizim vertikal që do të duhej të kishte një zinxhir të vetëm komandues, besoj që është propozuar nga Ahtisaari. Por është lënë hapësirë që institucionet e sigurisë në Kosovë, pjesa e SHPK-së t'i takojë propozimeve të bëra nga niveli komunal”, thotë Gashi. Dhe ndërsa në këtë pikë është bërë vërejtje edhe në një debat në Kuvendin e Kosovës, analisti Ilir Dugolli mendon se rreziqet nga mosshtrirja e pushtetit qendror janë të shumëfishta. “Realisht thënë, një pjesë e Kosovës edhe është jashtë qeverisjes dhe administrimit të bashkësisë ndërkombëtare, e të mos flasim për institucionet kosovare, mirëpo rreziqet janë të shumëfishta. Dhe, pa pikë dyshimi se barra e institucioneve të Kosovës do të jetë shumë e rëndë, ndërsa hapësira e veprimit të tyre është mjaft e kufizuar”, tha Dugolli. Ekipi negociues i Kosovës ende nuk ka bërë të ditur se cilat do të jenë pikat në të cilat do të përqendrohet insistimi i tyre për korrigjimin e planit të Ahtisaarit, por pritet që decentralizimi të jetë ndër kryesoret e atyre që janë quajtur detaje teknike.


XS
SM
MD
LG