Ndërlidhjet

ÇEKU: PRISHTINA KA EDHE PLANIN ‘B’ PËR STATUSIN


Zijadin Gashi

Prishtina nuk pret ndonjë marrëveshje të negociuar me Beogradin për çështjet që do të ngriten për bisedimet në Vjenë, nga data 21 shkurt deri më 10 mars. Po ashtu Ekipi Negociues i Kosovës, pas një takimi që ka zhvilluar sot në prag të raundit të ri të bisedimeve në Vjenë, ka marrë qëndrim se nuk do të përkrahë asnjë formë të rinegocimit për tërë pakon e Ahtisaarit. Në këtë drejtim, negociatorët kosovarë do të shkojnë në të gjitha takimet e radhës në Vjenë, por presin që atje të bisedohet vetëm për anekset e marrëveshjes. Kryeministri Agim Çeku, ka shprehur sot besimin e plotë se procesi do të përmbyllet me sukses dhe nuk do të ketë zvarritje të reja. Ai tha se krahas Kosovës, edhe bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë, që procesi të përmbyllet me sukses. Në të kundërtën, Çeku tha se Prishtina e ka edhe planin “B” për statusin e Kosovës, edhe pse ai u shpreh i bindur se nuk do të ketë nevojë për të. “Plani ‘B’ gjithmonë ekziston, por për planin ‘B’ nuk diskutohet. Ky proces është nisur për të pasur sukses dhe nuk është nisur që të dështojë. Palët e përfshira në këtë proces, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Grupi i Kontaktit, nuk do të lejojnë që procesi të dështojë. Besoj që në fund të marsit, Ahtisaari do ta prezantojë pakon e tij para Këshillit të Sigurimit. Jam i bindur që Rezoluta, propozimi i Ahtisaarit apo në formë të Rezolutës së re, do të jetë e pranueshme nga Këshilli i Sigurimit”, tha Çeku. Në anën tjetër, zëdhënësi i Ekipit Negociues, Skender Hyseni, tha sot se Prishtina ka caktuar të gjitha delegacionet që do të udhëtojnë në Vjenë, por nuk pret ndonjë rezultat nga bisedimet me Beogradin. “Ne nuk presim që Ekipi i Unitetit të arrijë pajtim për asnjë nga çështjet e shtruara me ekipin e Beogradit. Ne kemi vendosur të shkojmë në Vjenë dhe t’i përgjigjemi ftesës së presidentit Ahtisaari, për ta dëshmuar deri në fund përkushtimin tonë dhe të Kosovës në këtë proces, që synon dhe do ta bëjë Kosovën shtet”, u shpreh Hyseni. Ai tha po ashtu, se Zyra e Ahtisaarit nuk e ka qartësuar mirë zhvillimin e bisedimeve në Vjenë. Sipas tij, nuk dihet nëse atje palët do të bisedojnë drejtpërdrejtë, apo do të ketë bisedime të ndonjë forme tjetër. Hyseni nuk ka pranuar të japë detaje lidhur me vërejtjet e palës kosovare, duke e arsyetuar këtë si një fshehtësi që ruhet para bisedimeve dhe si një pjesë të strategjisë së Ekipit Negociues. Sidoqoftë, ai veçoi sidomos çështjet, që kanë të bëjnë me autorizimet e nivelit lokal të komunave. “Vërejtjet kanë të bëjnë, ta zëmë me bashkëpunimin ndër-komunal. Ne kemi disa ide që e definojnë më qartë, e saktësojnë këtë bashkëpunim ndër-komunal, në mënyrë që të mos krijohet ndonjë instrument i panevojshëm, që Kosovën do ta bëjë jofunksionale sa duhet. Po kështu, gjithnjë me qëllim të evitimit të bllokadave të ndryshme që mund të vijnë në Parlament, si rezultat i mosdefinimit të qartë të disa të drejtave të komuniteteve”, tha zëdhënësi Hyseni. Sipas tij, në takimet e radhës në Vjenë, nga Prishtina do të udhëtojnë delegacionet që kryesisht kanë biseduar gjatë vitit të kaluar me palën serbe për çështjet teknike. Ndërkaq, takimi i fundit më 10 mars, shtoi ai, është ftuar të ketë një përfaqësim më të lartë, por tani, sipas Hysenit, nuk dihet nëse Ahtisaari do t’i ftojë palët që atë ditë të shkojnë me nivelet më të larta të përfaqësimit. Ndërsa, sot janë bërë publike vetëm disa nga vërejtjet e Prishtinës në planin e Ahtisaarit, gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës janë veçuar si mangësi të këtij plani, sidomos çështja e decentralizimit, autonomia për Kishën Ortodokse serbe, pastaj çështja e lidhjeve horizontale të komunave serbe të Kosovës me Serbinë, si dhe çështja e Mitrovicës dhe e forcës së ardhshme të sigurisë së Kosovës. Zëdhënësi Hyseni tha se pala kosovare i ka vërejtjet e veta për të gjitha këto çështje të ngritura edhe në Kuvend, por në emër të Ekipit Negociues, ai njëkohësisht u shpreh kategorikisht kundër hapjes së një faze të re të rinegocimit për tërë pakon e Ahtisaarit. Në përgjithësi, Prishtina konsideron se rinegocimi për tërë pakon, do të ishte i rrezikshëm për finalizimin e këtij procesi, andaj pret që në Vjenë ditëve të ardhshme të hapen për konsultime vetëm çështjet e anekseve të marrëveshjes.


XS
SM
MD
LG