Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: RUSËT SYNOJNË QË TË ARRIJNË MARRËVESHJE TË MINUTËS SË FUNDIT


"Me gjasë janë dy mundësi të forta: e para është se Rusia do ta përdorë veton, por në atë situatë ata e humbin çfarëdo ndikimi të mundshëm. Ata kanë ndikim aq gjatë sa e kanë kërcënimin e vetos. Ata e humbin këtë ndikim kur ta përdorin veton. Nëse rusët e përdorin veton atëherë pres që perëndimorët do ta njohin shtetin e ri, që nënkupton një zgjidhje të imponuar. Mundësia tjetër është ajo që Moska do të luajë shumë ashpër dhe në mënyrë agresive deri në minutën e fundit dhe atëherë do ta bëjë një lloj të marrëveshjes", thotë, pos tjerash, Patrick Moore, analist i Radios Evropa e Lirë, duke folur për zhvillimet lidhur me statusin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë në Vjenë patëm nisjen e rundit të fundit të bisedimeve konsultative ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara. Sipas raporteve nuk ka pasur asnjë progres. Si e komentoni ju këtë rund të bisedimeve për propozimin e zotit Ahtisaari?

PATRICK MOORE
Natyrisht që nuk ka pasur progres, pasi nuk mund të ketë asnjë progres, meqë nuk mund ti barazoni dallimet që janë si nata me ditën. Ne kemi dy qëndrime totalisht të kundërta: njëri do ta pranoj vetëm pavarësinë, ndërsa tjetri, që pajtohet me jo-pavarësi. Ky është një lloj i lojës i ngjashëm me një teatër të ngadalshëm japonez, i quajtur Kabuki. Mendoj se kjo shfaqje e Kabukit do të vazhdoj derisa bashkësia ndërkombëtare të jetë e lodhur nga kjo shfaqje dhe do ta ulë perden e teatrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët rusë, përsëri, këmbëngulin se askush nuk duhet të imponoj zgjidhje. Por, nga ana tjetër, zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe ekspertë thonë se të dy palët kanë dallime totalisht të kundërta, siç thatë edhe ju pak më parë. Sipas jush cili është pra skenari i mundshëm për këtë çështje?

PATRICK MOORE
Me gjasë janë dy mundësi të forta: e para është se Rusia do ta përdorë veton, por në atë situatë ata e humbin çfarëdo ndikimi të mundshëm. Ata kanë ndikim aq gjatë sa e kanë kërcënimin e vetos. Ata e humbin këtë ndikim kur ta përdorin veton. Nëse rusët e përdorin veton atëherë pres që perëndimorët do ta njohin shtetin e ri, që nënkupton një zgjidhje të imponuar. Mundësia tjetër është ajo që Moska do të luajë shumë ashpër dhe në mënyrë agresive deri në minutën e fundit dhe atëherë do ta bëjë një lloj të marrëveshjes, nëse perëndimorët janë të gatshëm të paguajnë çfarëdo qoftë çmimi që rusët e dëshirojnë. Por, pres që perëndimorët nuk do të pajtohen të pagujanë çfarëdo çmimi në llogari, të themi, të Gjeorgjisë, të Moldavisë apo të Ukrainës. Mendoj se opsioni i dytë, është shumë i mundshëm. Rusët e mbajnë lojën e ashpër me qëllim që të arrijnë marrëveshje të minutës së fundit. Në rast të këtillë Moska, përsëri, do ta shesë aleatin e saj ballkanik, qoftë ai Beogradi ose Sofja, për interesa të veta. Por, unë mora vesh nga disa diplomatë në pozita të larta se ata kanë besim të madh se rusët me të vërtetë do të arrijnë marrëveshje të minutës së fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
E shtrova këtë pyetje për arsye se disa analistë ndërkombëtarë thonë se nëse Moska do ta përdorë veton, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, vendet kryesore të BE-së do ta implementojnë zgjidhjen për statusin e Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Kjo që thoni tingëllon si shumë e mundshme dhe do të thoja se nëse domosdoshmërisht Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të ecin përpara, atëherë mund të shpresojmë se edhe gjermanët dhe të tjerët do ti përcjellin. Por, siç thashë pak më parë, rusët e dinë se nëse e përdorin veton e humbin ndikimin dhe kapitalin e tyre dhe unë nuk shqetësohem se ata do ta bëjnë këtë. Por, nën presidentin Putin, e veçanërisht gjatë vitit të fundit, Rusia ka udhëhequr një politikë obstruksioniste që ta përkujton atë të ish ministrit të jashtëm rus, Andrej Gromiko, që ishte i njohur për refuzimin paraprak të çdo gjëje. Kjo dikujt ndonjëherë mund ti duket si një sjellje e fëmijëve. Në këtë aspekt, nëse e kemi parasysh fjalimin e zotit Putin në Munih më 10 shkurt, kjo ta përkujton shpërthimin e të riut. Prandaj, do të jetë vështirë të thuhet me siguri se çka do të bëjnë.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG