Ndërlidhjet

SERBËT PARALAJMËROJNË BLLOKIM RRUGËSH


Rrahman Paçarizi

Pas protestave të organizuara në disa vendbanime serbe të Kosovës, të drejtuara kundër propozimit të kryendërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, Këshilli Nacional Serb ka paralajmëruar forma të reja protestash kundër këtij propozimi dhe, siç thuhet, për ruajtjen e Kosovës brenda Serbisë. Momir Kasaloviq, kryetar i të ashtuquajturit Rrethi i Mitrovicës, tha se protestat e reja do të përfshijnë, përveç tubimeve, edhe bllokim rrugësh, por nuk ishte në gjendje të thotë një datë të saktë, edhe pse, sipas tij, kjo do të ndodhë shumë shpejt. “Synojmë të organizojmë edhe forma të tjera të protestës, si bllokimi i rrugëve dhe forma të tjera të shprehjes së civilizuar dhe demokratike të mospajtimit me planin e Ahtisaarit dhe gjithë atë që po ndodh në Kosovë dhe për Kosovën”, tha Kasaloviq. Këshilli Nacional Serb ka organizuar gjatë javëve të fundit disa protesta kundër planit të Ahtisaarit, përfshirë një tubim të madh më 9 shkurt në pjesën veriore të Mitrovicës, një tubim në Graçanicë, si dhe protesta e fundit mbajtur disa ditë më parë, para Ambasadës Amerikane në Beograd, ku është kundërshtuar propozimi i Ahtisaarit, i cili është cilësuar si një dokument që e çon Kosovën kah pavarësia. Ndërkaq, kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, tha se pas shpalljes së planit të Ahtisaarit, Këshilli Nacional Serb ka organizuar tubime, në të cilat ai plan njëzëri është cilësuar i papranueshëm dhe njëkohësisht, është mbështetur rezoluta e Kuvendit të Serbisë kundër propozimit të Ahtisaarit. “Është mbështetur rezoluta e Kuvendit, e cila planin e Ahtisaarit e cilëson si sulmin më të rëndë kundër sovranitetit të Serbisë”, tha Milan Ivanoviq, duke theksuar se në ditët e ardhshme Këshilli Nacional Serb pret të vizitojë Ambasadën Ruse në Beograd, për t’i shprehur falenderimin për përkrahjen parimore dhe të fortë për Serbinë në momentet vendimtare, tha Ivanoviq. Vendimi i Këshillit Nacional Serb për forma të reja protestash, përfshirë edhe bllokimin e rrugëve, vjen në ditën e fundit të konsultimeve të Vjenës lidhur me propozimin e Ahtisaarit dhe kur pritet edhe një takim i nivelit të lartë në Vjenë, lidhur me statusin.

XS
SM
MD
LG