Ndërlidhjet

MËSIMDHËNËSIT SHËNOJNË FESTËN E TYRE NË GJENDJE TË RËNDË MATERIALE


Nadie Ahmeti

Mësimdhënësit në Kosovë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira dhe pagat që i marrin nga buxheti i Kosovës, janë të pamjaftueshme. Kështu thonë në Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe vetë mësimdhënësit, në ditën e sotme që njihet si Dita e Mësuesit. Sheribane Bahtiri, e cila tash e nëntë vjetë punon si arsimtare në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, tregon se paga e saj prej 180 eurosh në muaj, nuk mjafton as për kërkesat elementare të familjes. “Në qoftë se them se është e mjaftueshme, gjithkush e arsyeton se nuk është e mjaftueshme fare. Ndërkaq, edhe bashkëshorti im punon në arsim, dhe jetojmë vetëm prej rrogave të arsimit, me dy studentë dhe një nxënëse në familje”, thotë zonja Bahtiri. Ajo shton se me pagën që ka, në shumë raste, ndjehet keq para kërkesave të fëmijëve të saj. “Mendoj në aspektin e krijimit të raporteve me fëmijët, sepse fëmijët nuk janë në gjendje të kuptojnë, kur merret parasysh se janë adoleshentë dhe të vegjël. Nuk e di sa është e nevojshme t’i arsyetohesh atyre me këto arsyetime pa arsye”, thekson zonja Bahtiri. Ahmet Gecaj, mësimdhënës, thotë se është lodhur me gjendjen e krijuar në sistemin e arsimit. Për të mbijetuar, atij i duhet të punojë edhe punë të tjera jashtë profesionit të tij. “Gjithmonë kam menduar se e kam zgjedhur profesionin e duhur dhe kurrë nuk më ka shkuar mendja ta ndërroj. Por, jemi të detyruar që të punojmë edhe punë të tjera për të mbijetuar, e që nuk i përkasin fare arsimit”, pohon zoti Gecaj. Edhe në Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, thonë se gjendja e njëzet e katër mijë mësimdhënësve kosovarë, pas përfundimit të luftës, vazhdon të mbetet e pandryshuar. Xhafer Xhaferi nga kjo sindikatë, thotë se me gjithë përpjekjet që kjo çështje të zgjidhet, deri më tash kjo nuk ka ndodhur. “Rritja e pagave mbetet kërkesë themelore e SBASHK-ut. Kemi pasur edhe greva dhe ato kanë insistuar në një rritje substanciale të pozitës materiale të punonjësve të arsimit”, thotë zoti Xhaferi. Por, edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë janë të vetëdijshëm për gjendjen e punëtorëve në sistemin e arsimit. Mimoza Hasani, zëdhënëse në këtë ministri, thotë se me gjithë përpjekjet për përmirësimin e kushteve të arsimtarëve, buxheti i kufizuar i Kosovës, nuk lejon që të ketë rritje pagash. “MASHT-i do të bëjë përpjekje maksimale që brenda mundësive që posedon, të përmirësojë sado pak gjendjen momentale të mësimdhënësve në Kosovë”, thekson zonja Hasani. Në një komunikatë për media, edhe kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se kufizimet e buxhetit nuk mundësojnë rritjen e shpërblimit financiar për mësuesit, por siç thuhet në komunikatë, Qeveria ka investuar që ata të kenë kushte më të volitshme dhe qasje më të madhe në teknologji dhe trajnime profesionale. Ndryshe, 7 Marsi, Dita e Mësuesit, është festë kombëtare e arsimit shqip, që festohet në Kosovë për të kujtuar shkollat e para shqipe.
XS
SM
MD
LG