Ndërlidhjet

CRADDOCK BISEDON ME LIDERËT KOSOVARË PËR FORMIMIN E FORCËS SË SIGURISË


Zijadin Gashi

Finalizimi i procesit të statusit dhe ruajtja e stabilitetit dhe qetësisë në Kosovë, kanë qenë tema qendrore të takimit të zhvilluar sot, ndërmjet presidentit dhe kryeministrit të Kosovës dhe gjeneralit, John Craddock, komandant suprem i forcave të NATO-s në Evropë. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova i shpreh mirënjohje e falënderime NATO-s, përkatësisht KFOR-it, për rolin që po luan në ruajtjen e qetësisë dhe stabilitetit. Forca e KFOR-it nuk ka qenë vetëm pjesë e ruajtjes së sigurisë, por edhe pjesë e ndërtimit të jetës në Kosovën e re, tha presidenti Sejdiu. Me gjeneralin Craddock, Sejdiu tha se ka biseduar edhe në lidhje me formimin e Forcës së Sigurisë për Kosovën, e cila do të formohet mbi parimet profesionale të NATO-s. “Perspektivën e vet, Kosova do ta ketë në integrimet euroatlantike, duke pasur synim të veçantë edhe ndërtimin e një force të sigurisë së saj në periudhën e pas statusit, e cila do të ndërtohet në kriteret e NATO-s. Po ashtu, është me rëndësi që Kosova e re, demokratike dhe e pavarur, të jetë garantuese, stabile e mirëqenies të të gjithë qytetarëve të saj, pra të shumicës, por edhe të pakicave”, theksoi Sejdiu. Në anën tjetër, gjenerali Craddock tha se kishte ardhur në Prishtinë, që t’i siguronte udhëheqësit kosovarë se NATO-ja, përkatësisht KFOR-i, është plotësisht i gatshëm, që të vazhdojë të ketë rolin e vet në garantimin e sigurisë dhe qetësisë për të gjithë. Një gatishmëri e tillë, sipas gjeneralit, është ritheksuar sot në Prishtinë para presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, duke pasur parasysh fazën finale të zgjidhjes së statusit të Kosovës, kur vlerësohet se Kosova ka më së shumti nevojë për një gjendje stabile të sigurisë. “Unë jam optimist se është koha që të ecet përpara dhe se procesi do të lëvizë përpara, drejt Kombeve të Bashkuara. Dhe, në ditët e javët e ardhshme, të shohim se procesi po përmbyllet me vendimin për statusin, të cilin e presin edhe qytetarët e Kosovës”, tha komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, gjenerali John Craddock. Vizitat e zyrtarëve të lartë të NATO-s në Kosovë janë të rregullta dhe kohëve të fundit edhe më të shpeshtuara, duke pasur parasysh finalizimin e procesit të statusit, për çka Aleanca Veriatlantike është shprehur se do të jetë e gatshme të garantojë një gjendje stabile të sigurisë.

XS
SM
MD
LG