Ndërlidhjet

PËR DHE KUNDËR PAKOS SË AHTISAARIT


Albana Isufi

Pakoja e Ahtisaarit për statusin është në rrugë për në Këshillin e Sigurimit në New York, ndërkohë që në Kosovë ende ka pajtime dhe mospajtime me këtë propozim për statusin. Përderisa partitë politike, pjesëmarrëse në bisedimet e Vjenës, thonë se pakoja është bazë për shtetin e Kosovës, subjektet politike që ishin jashtë këtij procesi, thonë se pakoja nuk është ajo çfarë ka pritur populli i Kosovës. Kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Emrush Xhemajli, mendon se pakoja për statusin e Kosovës e hartuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, nuk përmbush vullnetin dhe aspiratat e popullit shqiptar të Kosovës. Ai thotë se pakoja është një hap para Rezolutës 1244, por edhe më tej nuk është ajo çfarë ka synuar populli. “Ne kemi kërkuar njohje të drejtpërdrejtë, siç ka qenë rasti i Kroacisë, Sllovenisë, njohje direkte e Kosovës si shtet sovran, që do të ishte më e thjeshtë, më e natyrshme, më në dobi të qytetarëve të Kosovës. Ne nuk e kemi kërkuar pakon, pakoja është bërë enkas për minoritete, dhe jo për të gjitha, por pikërisht për minoritetin serb”, thotë Emrush Xhemajli. Por, Jakup Krasniqi, anëtar i Grupit Politik Strategjik, grup ky që ka hartuar dokumente për Ekipin Negociator, është i bindur se pakoja e Ahtisaarit është bazë për krijimin e shtetit të Kosovës. “Në pako pranohet dhe njihet tërësia territoriale e Kosovës, njihet e drejta e institucioneve të ardhshme të Kosovës për të kontrolluar kufijtë e Kosovës. Pastaj, njihet e drejta e Kosovës për të pasur forcën e sigurisë, njihet e drejta e Kosovës për t’u anëtarësuar në mekanizmat ndërkombëtarë, politikë, financiarë dhe ekonomikë, dhe njihet e drejta për të kontrolluar hapësirën ajrore. Të gjitha këto janë të drejta, që i takojnë një shteti të pavarur dhe sovran”, tha Krasniqi. Por, deputeti i LPK-së, Emrush Xhemajli, thotë se pakoja është vështirë e zbatueshme dhe nuk i përcakton Kosovës një status final. “Implementimi është shumë i vështirë edhe për faktin se Kosova do të vazhdojë të jetë me një status të ardhëm, që sërish nuk do të jetë definitiv, e cila përsëri mban kompetencat kryesore për zhvillimet në Kosovë, për jetën në Kosovë. Tash në këto kushte, ne përsëri mund të vazhdojmë të quhemi ata që jemi përgjegjës për implementimin, por për implementimin nuk na është lënë neve përgjegjësi, madje as që është kërkuar se çarë lloj pranie ndërkombëtare të jetë këtu. Është një prani ndërkombëtare, që po vjen praktikisht pa e pyetur Kosovën”, tha Xhemajli. Në pakon e Ahtisaarit parashihet që pas statusit, në Kosovë të ketë prani ndërkombëtare civile, që do të kryesohet nga Bashkimi Evropian dhe prania ushtarake ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO-ja. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, thotë se sot në botë pothuajse asnjë shtet nuk ka sovranitet të plotë mbi territorin e vet, prandaj sipas tij, prania ndërkombëtare nuk paraqet ndonjë problem. “Kosova në këtë stad të zhvillimit të saj është e mjaftueshme, që sovraniteti po i merret Serbisë dhe po i jepet qytetarëve të Kosovës. Institucionet e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë, që këtë sovranitet ta ndajnë me Bashkimin Evropian, dhe në kohën që po jetojmë ne, edhe vendet tjera të rajonit, edhe pse ndoshta me shekuj e kanë fituar të drejtën e pavarësimit, e kanë një monitorim nga komuniteti ndërkombëtar, në këtë rast nga BE-ja. Dhe, këtu ne nuk e shohim të keqen. Në këtë proces, Kosova do të integrohet edhe ne BE, por deri atëherë duhet angazhim tjetër i qytetarëve dhe i institucioneve të Kosovës”, tha Krasniqi. Ndërkohë, Emrush Xhemajli thotë se në Kosovën e pas statusit, problem tjetër do të paraqesë procesi i decentralizimit, i cili sipas tij, është bërë në baza monoetnike. Ai thotë se ky decentralizim krijon hapësirë, që edhe në të ardhmen Serbia të mund të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës. “Për mendimin tonë, nuk ka pasur asnjë arsye që një çështje krejtësisht e brendshme, që mund të diskutohet me serbët dhe bashkësinë ndërkombëtare këtu, të varet dhe të diskutohet me një vend që përkatësisht tash është një vend tjetër, me Serbinë, sepse ngjashëm do të mund të insistojë nesër, ose shetet veç e veç, që të diskutojnë që shtetet që kanë pakicat këtu, t’i marrin punët e brendshme të Kosovës dhe në formën e tillë, t’i diktojnë rrjedhat, ngjarjet dhe të ndikojnë në jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha Xhemajli. Por, Jakup Krasniqi beson se decentralizimi u jep mundësi serbëve, që të qeverisin me komunat e tyre, por sipas tij, nuk ka vend për frikën e intervenimit të Serbisë në komunat me shumicë serbe. “Këtu nuk duhet të kihet frikë. Ne e dimë se për një kohë do të ketë probleme, që do t’i ngrisin serbët e Kosovës, duke qenë të instrumentalizuar nga Beogradi, por me kohë ata do ta shohin gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri të re dhe jo për t’u marrë me probleme, që i ka shkaktuar regjimi i kaluar në Kosovë”, tha Krasniqi. Në Kosovë, pakoja e Ahtisaarit është pranuar njëzëri nga Ekipi Negociator i Kosovës, përderisa ka qenë Lëvizja Vetëvendosje ajo që ka hedhur poshtë këtë pako si të papranueshme.
XS
SM
MD
LG