Ndërlidhjet

VARMA:"DOKUMENTI I AHTISAARIT KA ARRITUR NË OKB"


Brenden VARMA, zëdhënës i Kombeve të Bashkuara

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Varma a mund të konfirmoni se propozimi i Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës është në duart e Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara?

BRENDEN VARMA
Po, unë mund të konfirmoj se, zëvendësi i zotit Ahtisaari, Albert Rohan u takua me Sekretarin e përgjithshëm Ban Ki Mun dhe i dha raportin e zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës dhe poashtu edhe propozimin për zgjidhjen e statusit. Pra, tash Sekretari i përgjithshëm i ka këto dy dokumente.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, çfarë është tash procedura që ky dokuement të paraqitet në Këshillin e Sigurimit?

BRENDEN VARMA
Tash Sekretarit të përgjithshëm i duhet kohë për të shqyrtuar raportin dhe propozimin, e pastaj ato duhet t'i dërgoj në Këshillin e Sigurimit, në një të ardhme të afërt.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të presim se kjo e ardhme e afërt do të jetë në fund të këtij muaji?

BRENDEN VARMA
Është shumë vështirë të thuhet në këtë moment, por kryesuesi i Këshillit të Sigurimit u ka thënë mediave se KS i OKB-së synon të diskutoj për Kosovën në muajin prill. Pra, ne mendojmë se ky propozim do të jetë në Këshillin e Sigurimit diku para muajit prill ose gjatë prillit.

RADIO EVROPA E LIRË
Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se në një aneks, zoti Ahtisari ka rekomanduar pavarësi për Kosovën....?

BRENDEN VARMA
Në këtë pikë ne posa e morëm raportin dhe Këshilli i Sigurimit atë nuk e ka marrë ende. Prandaj do të ishte e parakohshme për ne të komentojmë në këtë periudhë përmbajtjen e raportit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë biseda lidhur me mundësinë që Rusia ta përdorë veton në Këshillin e Sigurimit gjatë diskutimit për Kosovën. Nëse kjo ndodhë, çka do të thotë kjo në praktikë? A do të thotë kjo se plani i Ahtisaarit do të dilte "jashtë lojës"?

BRENDEN VARMA
Përsëri, është vështirë të thuhet. Nuk do të komentoj diçka që do të ndodhë apo nuk do të ndodhë në të ardhmen. Sekretari i përgjithshëm ka thënë se çështja e statusit të Kosovës duhet të zgjidhet sa më shpejtë. Pra, duhet të shohim se çka do të ndodhë në Këshillin e Sigurimit, por në fund të fundit, Këshilli i Sigurimit është ai që vendosë përfundimsisht për çështjen e statusit të Kosovës. Pra, ne do të ndjekim me kujdes këto zhvillime për të pare se çka do të ndodhë.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG