Ndërlidhjet

FUKS: MOSPRANIMI RUS I PLANIT TË AHTISARIT E VË BE-NË NË POZITË KRITIKE


Mospranimi i planit të kryendërmjetësit Ahtisari për statusin e Kosovës nga ana e Rusisë do vërë në një pozitë tepër të vështirë para së gjithash Bashkimin Evropian, tha Ralf Fuks nga fondacioni Hajnrih Bël i të gjelbërve të Gjermanisë.
Në një tryezë të rrumbullakët në Radion Evropa e Lirë, duke folur për raportet mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë për çështjen e Kosovës Fuks theksoi:
"Ka pak vend për kompromis në këtë çështje. Nëse Rusia nuk pranon planin e Ahtisarit Bashkimi Evropian do përballet me një situatë tepër kritike në Kosovë në kohën kur ka marrë përsipër përgjegjësitë në fushën politike dhe të sigurisë."
Sipas tij qëndrimi rus lidhur me Kosovën më së shumti ka të bëjë me demonstrimin e forcës nga ana e Moskës, se nuk mund të ketë zgjidhje pa marrë parasysh interesat ruse.
"Rusia pretendon, nëse jo përdorimin e vetos, të thotë me forcë fjalën e saj në dizajnimin politik të kësaj zone. Ajo po përdor mjetet e fuqisë që ka në dorë se nuk mund të ketë zgjidhje pa marrë parsysh interesat ruse", tha Fuks.
Sipas tij Gjermania mund të luajë një rol në afrimin e qëndrimeve mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian, por nuk duhen pritur mrekulli.
"Mendoj se Gjermania ka qasje diplomatike dhe politike tek Rusia. Por nuk jam i sigurt se sa e suksesshme mund të jetë", pohoi Fuks, sipas të cilit Rusia mund të jetojë me një Kosovë të pavarur, por do kërkojë që ta përdorë maksimalisht për interesat e veta.
Duke folur për skenarin e anashkalimit të Rusisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pra vendosja e statusit si rezultat i marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Fuks tha se paraqet rrezikshmëri të lartë.
"Kjo do ishte një lojë e rrezikshme, pasi pasojat do t'i paguante Gjeorgjia, Moldavia dhe pjesë të tjera të botës. Ne duhet t'i kushtojmë më shumë kujdes kësaj pasi nuk është në pyetje vetëm Kosova po zonat e nxehta në vendet fqinje me Bashkimin Evropian."

Përgatiti: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG